Rrahmani: Napoli është gati, krenar që veshi fanellën e Kosovës

Mbrojtësi kosovar i Napolit, Amir Rrahmani në një intervistë për ‘Radio CRC’, ka folur për sezonin e ri në Itali.

Kosovari, i cili tashmë është një nga lojtarët kryesor tek ‘napolitanët’ thotë se skuadra e tij është gati për edicionin e ri në Serie A.  

“Ne po punojmë për debutimin tonë në kampionat. Mendoj se të gjithë jemi gati. Unë synoj të fitoj çdo ndeshje. Bëmë stërvitje të vështira me trajnerin Conte, por ai do që ne të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për të përballuar mirë të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe kupës. Ne duhet të jemi gjithmonë të zemëruar kur dalim në fushë dhe, kur fitojmë ndeshjen, të jemi të lumtur që kemi dhënë gjithçka. Ky është gjithmonë objektivi ynë”, ka thënë Rrahmani.

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, ka folur edhe për paraqitjet e tij në skuadrën dardane. Rrahmani thotë se është krenar që vesh fanellën e Kosovës.

“Kosova ka 5 vjet që luan ndeshje ndërkombëtare, është krenari e vërtetë, shpresoj që një ditë të luaj në një evropian apo në një Botëror, do të ishte e rëndësishme për ne sepse jemi një vend i vogël”, ka theksuar Rrahmani. /Sinjali