Historike për Dritën: Kualifikohet në “Play-Off” të një gare evropiane për herë të parë në histori të klubit
Drita ka siguruar kualifikimin në fazën e “Play-Off” të Ligës së Konferencës.
Gjilanasit pas 120 minutave kanë triumfuar ndaj Audas me rezultat 3-1 në ndeshjen kthyese të rrethit të tretë në “Fadil Vokrri”.
‘Bardhekaltrit’ humbën ndeshjen e parë në Letoni me rezultat minimal 1-0, teksa ata u përkujdesën që sonte ta arrijnë këtë përmbysje të madhe dhe të kualifikohen tutje, raporton Sinjali Sporti.
Ndeshja e zhvilluar kthyese në “Fadil Vokrri” pas 90 minutave u mbyll me epërsi minimale të Dritës, me një gol nga Besnik Krasniqi, për të shkuar ndeshja në vazhdime.
Pas vazhdimeve, mysafirët fillimisht barazuan shifrat për 1-1, për t’u kthyer sërish pak më vonë Drita epërsinë përmes Rron Brojës.
E goli i ‘nokautit’ për letonezët erdhi nga Albert Dabiqaj, i cili realizoi në minutën e 114-të, duke realizuar një gol të bukur me kokë pas një asistimi nga Besnik Krasniqi.
Drita kësisoj kualifikohet në fazën e “play-off” për herë të parë në histori të klubit, teksa atje do të ketë punë me kundërshtarin e vështirë të Legia Varshavës, e cila triumfoi ndaj Brondbyt.