Bajrami thotë se Osmani është fajtore pse Kurti i fitoi 51%: Nuk pres kthimin e saj në LDK

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka fajësuar presidenten Vjosa Osmani për fitoren me 51% të kryeministrit Albin Kurti.

E pyetur nëse Osmani ka vend të kthehet në LDK, Bajrami ka thënë se për këtë vendosin organet e partisë.

“Konsideroj që Vjosa Osmani, as nuk do të vinte në LDK për shkak të dëmit që Vjosa vetë i ka bo LDK-së, as nuk e pres një kthim të saj edhe nëse do të kishte ofertë, për shkak të asaj që ajo ka shkaktuar tek ne. Mos të harrojmë që Vjosa Osmani është fajtorja kryesore pse ne sot kemi Albin Kurtin me 51% të votave në pushtet. Më pak se një vit më herët ku pikërisht ajo ka qenë kandidate, diferenca mes LDK-së dhe LVV-së ka qenë me më pak se 1% të votave. Ishin pikërisht veprimet e Vjosa Osmanit të cilat përfunduan në rezultat aksidental të LVV, sepse vetëm rezultat aksidental është, nuk mund ta quaj asgjë tjetër”, tha ajo në T7.