“EtnoFest” vazhdon aktivitetin kulturor

`Etno Fest` edhe gjatë ditës së sotme ka pasur aktivitete.

Atje u mbajt edhe punëtoria "Laboratori për sistemin e Grotovskit" të autorit italian Mario Biagini.

Edicioni i 14-të i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, ‘EtnoFest’, që nisi të shtunën, po vazhdon në fshatin Kukaj të Prishtinës.

Në kuadër të programit të sotëm në ambientet e shumta të Etnokompleksit në Kukaj do të ketë edhe shfaqje teatrale, ekspozita e punime artizanale.

Organizatorët kanë njoftuar se sonte do të fillojë edhe ‘Laboratori për sistemin e Grotovskit’ që do të mbahet nga artisti italian Mario Biagini.

“Ka filluar me një performancë të grave, me pjekje të flijave, për të vazhduar paralel gjama e grave të Vlorës, për të vazhduar me dasmë, një akrobate, Fjona Konxheli, që ka pasur një performancë të jashtëzakonshme dhe koncerti, kori ocarina... sonte do të kemi shfaqje teatrale, ekspozitat janë gjithmonë të hapura, Muzeu Etnografik, punime artizanale, pak me qetë do të jetë sonte”, tha Sheqerije Buqaj, themeluese e ‘Etno Fest-it’.

Edicioni i sivjetmë i ‘Etno Fest’ po shënon rekord të numrit të vizitorëve vendorë dhe të huaj.

“Më pëlqen shumë muzika shqiptare, kosovare. Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për mua që të mësoj më shumë për kulturën. Më pëlqen Kosova sepse njerëzit janë shumë të shoqërueshëm, janë shumë të interesuar për artin, muzikën, vallëzojnë, më pëlqen shumë kjo vallja juaj me tre hapa, nuk e di si quhet, por më pëlqen aq shumë”, tha një vizitore, vullnetare nga Egjipti.

‘Etno Fest’ do të jetë i hapur deri më 18 gusht, ku do të promovohet trashëgimia etnografike dhe kulturore e vendit. /rtk