Bekim Haxhiu s’tërhiqet: Kushdo që vret polic të Serbisë e ka respektin tim!
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, së bashku me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, dje mori pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, i cili iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni të mbajtur në Klinë të Ulët.
Në një postim në platformën Facebook, Haxhiu shpërndau edhe fotografi gjatë ceremonisë së varrimit.
Por çka bie në sy është deklarimi i Haxhiut.
Ai tha se Faton Hajrizi është personi i parë shqiptar që shkoi nga Kosova dhe vrau një serb në territorin e Serbisë, duke nënvizuar se deri tek ky rast, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë.
“Në Klinë të Ulët sot, në një organizim madhështor të ceremonisë së varrimit, së bashku me mijëra qytetarë, i dhamë lamtumirën e fundit Faton Hajrizit. Faton Hajrizi është shqiptari i parë që shkon nga Kosova dhe vret policë serbë në territorin e Serbisë. Deri tek rasti i Faton Hajrizit, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë! Pusho në paqe, Faton! Ngushëllime familjes dhe miqve të Fatonit,” shkroi Haxhiu.
Ky deklarim i Haxhiu u kritikua shumë, mirëpo deputeti i PDK-së nga Mitrovica, duket se nuk është penduar fare për atë që tha dje.
Duke iu përgjigjur një komentuesi në llogarinë e tij në Facebook, Haxhiu ka shkruar sot: “Policia e Serbisë ka vra e maskaru 1632 fëmijë shqiptar, mijëra civil të pafajshëm në Kosovë, Bosne e Kroaci, kush do që vret polic të Serbisë e ka respektin tim. Serbia ende nuk ka kërku falje për asnjë vrasje, as masakër qe ka kry në Ballkan”, ka shkruar sot Haxhiu.
Vrasja e policit në Serbi dhe arratisja e fundit e Hajrizit
Pas arratisjes së fundit më 6 korrik, vendndodhja e Hajrizit nuk u dit për një kohë.
Emri i tij nisi të përmendej sërish më 18 korrik, kur në Serbi u raportua vrasja e një zyrtari policor, në qytetin perëndimor të Lloznicës.
Sipas dyshimeve fillestare, dorasi kishte ikur, ndërsa në vendngjarje ishin gjetur dokumentet e një personi të quajtur Artan Hajrizi.
Më vonë u mësua se Artani ishte vëllai i Fatonit, i cili u paraqit nga Gjermania duke pretenduar se i vëllai ia kishte vjedhur dokumentet për t’ia përdorur për arratisje.
Si i dyshuar për vrasje, Fatoni ishte në kërkim nga autoritetet serbe për disa orë, derisa Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ai ishte vrarë derisa po ikte nga Policia.