Zhvillime dramatike në Londër: Chelseat i dështon transferimi i Samu Omorodion dhe po kërkon një tjetër sulmues nga Atletico Madrid

Samu Omorodion nuk do të nënshkruajë me Chelsean dhe kjo tanimë është konfirmuar.

Përkundër se kishte një marrëveshje mes dy klubeve për transferimin e sulmuesit spanjoll në Stamford Bridges, marrëveshja ka dështuar në orët e para të ditës së hënë.

Ka qenë gazetari italian Fabrizio Romano, që ka konfirmuar se marrëveshja për transferimin e Samu Omorodion në Chelsea ka dështuar dhe lojtari do të rikthehet në Madrid.

Megjithatë kjo gjë nuk do të ndikojë aspak në transferimet e Julian Alvarez dhe Conor Gallagher tek Atletico.

Chelsea dhe Atletico Madrid janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje tjetër, pasi sulmuesi portugez Joao Felix u është propozuar londinezëve.

Agjenti portugez Jorge Mendes ndodhet në Londër dhe i ka propozuar Chelseat ta rikthejë Joao Felixin në Stamford Bridges.

Gjatë ditës së sotme pritet të ketë zhvillime të reja, megjithatë duket se Joao Felix do të jetë sulmuesi i ri i Chelseat me portugezin që ka pranuar të rikthehet në Londër. /telegrafi