Goli i Mallory Swanson i siguron SHBA-së medaljen e pestë të artë në futbollin e femrave

Ekipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në futboll në kategorinë e femrave, ka fituar medaljen e pestë të artë në ‘Parkun e Princave’ në Paris, duke mposhtur Brazilin me rezultat 1-0.

Goli i shënuar nga Mallory Swanson i dhuroi Amerikës fitoren e merituar, duke i dhuruar atyre fillimin e ëndrrave në krye me përzgjedhësen Emma Hayes.

Pas një pjese të parë sfiduese, SHBA-ja u përmirësua dukshëm në pjesën e dytë dhe e mori epërsinë falë një super asistimi nga Korbin Albert që e gjeti Swanson brenda zonës.

Në ndeshjen e 100-të me fanellën e SHBA-ve, 26-vjeçarja me qetësi e çoi topin në rrjetë. Goli fillimisht u rishikua për pozicion jashtë loje, por gjithçka ishte në rregull dhe ai u pranua.

Ky gol i shënuar në minutën e 57-të ishte i mjaftueshëm për t’i dhuruar SHBA-së medaljen e pestë të artë në futbollin e femrave dhe të parën që prej Lojërave Olimpike ‘Londër 2012’.

Për Brazilin, kjo ishte humbja e tretë ndaj SHBA-ve në një finale olimpike, duke ia pamundësuar futbollistes legjendare Marta mundësinë e fundit për të fituar një medalje të artë.

38-vjeçarja u paraqit në finalen e saj të fundit me kombëtaren dhe u fut në fushë pas një ore lojë, por nuk arriti që të ketë një ndikim në rezultatin përfundimtar./telegrafi