Një ditë deri në përfundim të Lojërave Olimpike, Shqipëria shpresat në rusin Valiev

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në përfundimin e Lojërave Olimpike Paris 2024, me Shqipërinë që shpresat i ka krejtësisht në rusin Chermen Valiev për medaljen e parë olimpike, teksa Kosova me anë të xhudos i ka fituar në Francë dy, duke çuar në pesë numrin total të medaljeve olimpike.

Kosova u përfaqësua nga nëntë garues, pesë me normë olimpike që të gjithë nga xhudo, ndërsa katër të ftuar në sporte të tjera.

Xhudistët sërish ishin krenaria e shtetit të Kosovës, duke fituar dy medalje. Distria Krasniqi u stolis e argjendtë, ndërsa Laura Fazliu e bronztë, kështu duke çuar numrin total në pesë medalje olimpike.

Në anën tjetër, Shqipëria vazhdon të jetë akoma pa medalje olimpike. Tetë garues në Francë, por vetëm njëri ka shpresa reale.

Chermen Valiev është rusi që përfaqëson Shqipërinë dhe ka mundësinë e artë që t'ia fitojë kuqezinjve medaljen e parë historike në Lojërat Olimpike.

Valiev fitoi dje në 1/8 e finales me përmbysje të madhe, teksa u mposht krejt në sekondat e fundit në çerekfinale, për të fituar të drejten e repesazhit.

Sot në repesazh ai ishte fantastik, duke fituar përballjen e parë bindshëm me rezultat 12:2 dhe tani është vetëm një luftë larg medaljes së bronztë.

Me fillim nga ora 18:15 do të jetë lufta mes tij dhe Viktor Rassadin, ku Shqipëria mund t'i gëzohet medaljes së parë olimpike.

Pra, gjithçka në duar të rusit, Chermen Valiev.

Kujtojmë që Kosova renditet e 72-ta nga 203 vende sa janë prezente në Lojërat Olimpike, ku vetëm 80 shtete kanë fituar të paktën një medalje.