Edicioni i ri, Ademi me thirrje për futboll të bukur e të ndershëm

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë thirrje për futboll të bukur dhe të ndershëm në prag të fillimit të edicionit të ri të AlbiMall Superligës.

Edicioni i ri i AlbiMall Superligës fillon të shtunën.

Ademi përmes një adresimi nga llogaria e tij në facebook ka folur për përkushtimin e federatës për të siguruar një garë të drejtë dhe të organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

"Ky edicion premton të jetë i jashtëzakonshëm dhe përplot emocion, me skuadra tashmë të dëshmuara, por edhe me të tjera që duan të bëjnë histori e të lënë gjurmë", ka thënë Ademi, duke nënvizuar konkurrencën e fortë që pritet në AlbiMall Superligë, si për titullin kampion, ashtu edhe për vendet që çojnë në garat evropiane.

"Ky edicion premton të jetë i jashtëzakonshëm dhe përplot emocion, me skuadra tashmë të dëshmuara, por edhe me të tjera që duan të bëjnë histori e të lënë gjurmë. Krahas garës përplot rivalitet në AlbiMall Superligë si për titull, ashtu edhe për dalje në Evropë, mjaft joshëse pritet të jetë edhe gara në Raiffeisen Ligën e Parë, ku përveçse është rritur niveli organizativ i klubeve, ky edicion do të jetë përcaktues se cilat skuadra do të garojnë në Ligën unike që nis nga edicioni 2025/26, me 18 ekipe. Duke iu dëshiruar të gjitha ekipeve suksese dhe një kampionat me sa më pak lëndime të futbollistëve, i inkurajoj që të na ofrojnë futboll sa më të bukur e të ndershëm", ka thënë Ademi. 

Duke iu uruar suksese të gjitha klubeve, Ademi ka thënë se shpreson që në kampionatin e ri të ketë sa më pak lëndime të futbollistëve. "Federata e Futbollit me të gjitha organet kompetente, do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për të siguruar mbarëvajtje të garës dhe drejtësi maksimale në fushën e gjelbër dhe jashtë saj", ka thënë ai.