Me apo pa koordinim, gjithçka çfarë ndodhi sot në urën e Ibrit

Nën masa të shtuara policore, është testuar për qëndrueshmëri Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Masat e shtuara të sigurisë erdhën pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës se ura duhet të hapet.

Me këto zhvillime, të pakënaqur janë shprehur qytetarët serbë të pjesës veriore të vendit, të cilët gjatë ditës së djeshme kanë kundërshtuar këtë paralajmërim përmes protestave.

Edhe sot, derisa në afërsi të urës disa punëtorë po pastronin grafitë që, sipas policisë, krijojnë nxitje dhe urrejtje si “Severna Brigada” e të ngjashme, të cilat ishin në shesh afër urës, aty u mblodhën qytetarë serbë për të penguar këtë aksion.

Për pasojë, dy prej tyre u shoqëruan në stacion policor.

Arsye për ndalimin e tyre, sipas Policisë së Kosovës, ishte “provokimi” dhe “pengimi” i punëtorëve gjatë kryerjes së detyrave të tyre në prani të urës.

“Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, por ata kanë vazhduar duke nxitur më pas tensione. Njësitet policore më pas kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona e të njëjtit janë liruar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, gjatë ditës së sotme është mbajtur një bashkëbisedim me qytetarë serbë të kësaj ane me përfaqësues të qeverisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i pranishëm në këtë takim, ka thënë brenda dy apo tri ditësh do ta ketë raportin që tregon nëse Ura mbi lumin Ibër është stabile për hapjen për qarkullim të automjeteve.

Ai është shprehur optimist se ura është stabile dhe se do të hapet.

Se kur do të hapet ura, Durmishi tha se nuk e di, por u shpreh se “e di që ura do të hapet, sepse nuk ka arsye që të jetë e mbyllur”.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, gjatë bashkëbisedimit ka theksuar se në aspektin e sigurisë nuk ka arsye që ura të jetë e mbyllur.

Ura që nuk po e kryen misionin logjik

Qeveria ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk e rrezikon askënd. Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë madje se kësaj ure “padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale”.

“Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka thënë të mërkurën (7 gusht) Kurti.

Ideja për hapjen e Urës së Ibrit, e mbyllur që nga viti 1999, u kthye në aktualitet nga qeveria në mes të korrikut, e cila njoftoi se synon të hapë atë.

Mirëpo, kjo ide duket se nuk “po pi ujë” te partnerët ndërkombëtarë.

SHBA-ja, Gjermania, Anglia, Franca e Italia, që përbëjnë grupin e ashtuquajtur QUINT, bashkë me Zyrën e BE-së në Kosovë, u deklaruan kundër hapjes së urës në këtë moment.

Mëngjesin e 2 gushtit, përfaqësues të këtyre ambasadave i shkuan në zyrë kryeministrit Kurti, ku edhe diskutuan mbi këtë çështje.

Pas takimit, ambasadori i SHBA-së, Jeff Hovenier iu drejtua mediave me një mesazh të shkurtër:

“Ne, përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe të Zyrës së BE-së, u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona, në konsultim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, theksoi Hovenier.

E, qeveria tha se takimi me përfaqësuesit e ambasadave të QUINT-it u zhvillua “pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime”.

Aty, qeveria njoftoi se kryeministri Kurti e kishte paraqitur para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”, tha qeveria në njoftim.

Aty u tha se konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë.

“Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se ‘riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”.

“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”.

“Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, ishte thënë në këtë njoftim.

BE-ja ndërkaq, përmes zëdhënësit të saj Peter Stano, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit duhet të jetë temë diskutimi në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe KFOR-i deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut në Bruksel.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha mbrëmë se këto veprime të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës mund të çojnë në zhbërjen e të arriturave që i ka bërë Kosova, me ndihmën e vetë SHBA-së.

E BE-ja tha se zhvillimet e fundit mund të çojnë në masa të reja kundër Kosovës. /KlanKosova