Në Krushë të Madhe nis festivali “AgroFesta”

Në Krushë të Madhe të Rahovecit ka nisur edicioni i 11-të i festivali tradicional të perimekulturës “AgroFesta”.

Ky festival, i cili i dedikohet kryesisht kultivimit të perimeve, është bërë shumë i rëndësishëm për të gjithë bujqit në Krushë të Madhe - Rahovec, por edhe më gjerë, i cili po zhvillohet në kuadër të muajit të mërgimtarëve.

Festivali “AgroFesta” është bërë një nga aktivitetet më të vizituara në komunën e Rahovecit, duke pasqyruar kështu vazhdimisht rëndësinë që kultivimi i perimeve ka jo vetëm në Krushën e Madhe, ku edhe zhvillohet ky festival, por edhe rëndësinë që kultivimi i kulturës së perimtarisë ka në të gjithë territorin e vendit tonë.

Ky festival, i cili po mbahet në pjesë më të lartë të fshatit Krushë e Madhe, e cila arrin një prej mbi 350 metrash, ku shihet gjysma e rrafshit të Dukagjinit, synon të promovojë produktet bujqësore dhe kulturën krushjane të punës.