Përzgjidhet projekti ideor për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik

Është përzgjedhur projekti ideor për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik.

Fondacioni “Hajde”, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunën e Skënderajt, në mesin e tri projekteve aplikuese kanë vendosur që në vendin e parë ta vlerësojnë “Ars Atelie”, ndërkaq në vendin e dytë “Dieform”.

“Projekti fitues përputhet më së miri me ambicien e fondacionit ‘Hajde’, për të krijuar një qendër të hapur dhe dinamike për angazhim dhe shprehje kulturore dhe shoqërore në Runik. Propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit. Projekti fitues ka potencialin të rrezatojë përtej Runikut, duke zgjeruar kuptimet kolektive se çfarë dhe për kë mund të jetë një hapësirë publike”, thuhet në arsyetimin e jurisë.

Procesi ka nisur fillimisht me organizimin e punëtorisë me komunitetin e fshatit të Runikut.

Më pas, janë organizuar takime të shumta me grupin tonë punues për finalizimin e detyrës projektuese, duke u bazuar në rekomandimet e nxjerra nga punëtoritë.

Në përfundim, është hapur thirrja publike për projekt-propozime, të cilat i ka vlerësuar juria në përbërje prej sociologes Donjetë Murati; profesoreshës në Fakultetin e Arteve, Florina Jerliu; arkitektit dhe artistit Jürgen Mayer; artistit dhe themeluesit të fondacionit “Hajde”, Petrit Halilaj; udhëheqëses së Divizionit për Trashëgimi Arkeologjike dhe Arkitekturale, Merita Augustini dhe drejtorit të CHWB-së, Sali Shoshi.