Marzha tregtare për produktet e naftës në Kosovë, minimumi dy cent e maksimumi 12 për litër
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se ka marrë vendim për caktimin e çmimit të naftës dhe produkteve të saj.
Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitjen me shumicë është vendosur në 2 cent për litër, ndërsa për shitjen me pakicë është 12 cent për litër.
Në njoftimin e MINT-it thuhet: “Llogaritja e marzhës tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë dhe pakicë bëhet sipas nenit 4, paragrafit 1.1 dhe 1.2 të Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e Tjera Mbrojtëse. Ky vendim hyn në fuqi nesër, më 4 gusht 2024, dhe do të mbetet në fuqi për tridhjetë (30) ditë.”
Gjithashtu, ministria ka bërë të ditur se mbikëqyrja e zbatimit të këtij vendimi do të kryhet nga Inspektorati Qendror i Tregut, në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).