Darkë çmallje, mërgimtarët dhe banorët e Isniqit flasin për investime

Banorët e Isniqit kanë zgjedhur një mënyrë tjetër për t’i pritur bashkatdhetarët. Ata kanë organizuar një takim çmalljeje përmes një organizimi të quajtur “Darka e Mërgimtarit”.

Në shenjë falënderimi për bashkatdhetarët, për gjithçka kanë bërë ndër vite e dekada për vendlindjen dhe atdheun, në Isniq bashkëvendësit e tyre organizuan një pritje të ngrohtë, të quajtur "Darka e mërgimtarit".

"Kjo është më e pakta që kemi mundur ta bëjmë, një organizim, një darkë të cilën e kemi quajtur darka e mërgimtarit sepse këta e meritojnë më shumë. Kjo është vetëm një copë e vogël cka meritojnë bashkatdhetarët isniqas të cilët kanë ardhur edhe nga kurbeti për me dhanë jetën për këtë vend. Edhe në emër të fshatit në përgjithësi  ju urojmë pushim të mirë, të argëtohen dhe të kalojnë mirë pranë vendlindjes dhe familjes së tyre", thekson Gëzim Bojku, përfaqësues i Isniqit.

Pritja e komunikimi i ngrohtë dhe çmallja me njëri-tjetrin me idenë dhe synimet e shumicës prej tyre për t'iu kthyer vendlindjes edhe me investime për të cilat thanë se tashmë është koha e duhur.

"Ndjenja e mërgimtarit është shumë e vështirë, malli për atdheun është shumë i madh, jetoj larg qe 25 vite dhe nuk kam mundur kurrë ta ndiej veten si në vendin tim sepse të mungon gjithçka dhe më mban shpresa që fëmijët e mi një ditë kanë shumë dëshirë të vijnë në atdhe dhe pse mos ta gjejnë veten këtu, të jetojnë dhe veprojnë deri në fund të jetës së tyre", tha Safete Haklaj- Berisha, mërgimtare.

Për mërgmitarin Enver Pajazitaj, takimi është mrekulli e pa përshkruar.

“Është vlerë e veçantë sepse njerëzit takohen, unë për vete pata rastin të takohem me disa të rinj që nuk i kam njohë, mirëpo edhe ata nuk më njihnin mua kështu që shkëmbyem biseda relaksuese me njëri tjetrin, po e them kjo e ka vlerën e veçantë",tha ai.

Ishte vlerësim dhe dëshirë e të gjithëve që takime të tilla të bëhen tradicionale, në mënyrë që atdhedashuria dhe dashuria për njëri tjetrin të ruhen dhe të kultivohen gjithnjë e më shumë.