Interesim i madh i turistëve për të parë filmat e “Dokufestit”
Për natën e dytë të edicionit të 23 të “Dokufestit”, deri në orën 15 të pasdites janë shitur 1000 bileta.
Turistët e huaj vazhdojnë të kenë vëmendjen kryesore edhe në këtë edicion, i cili këtë vit konsiderohet të jetë më i pasuri me filma, punëtori, workshope e ekspozita të ndryshme nga fotografë të njohur.
“DokuFest” shënon ditën e dytë të edicionit të 23 të tij. Mysafirë të shumtë nga vende të ndryshme të botës vazhdojnë të vijnë në Prizren, për të përcjellë rrjedhën e festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër që nisi më 2 gusht.
Në Dokushop, ka interesim të madh të turistëve të huaj dhe vendor për t`u pajisur me bileta të filmave që po shfaqen në kinematë e këtij edicioni.
"Sot është dita e tretë që Dokushop është i hapur, interesimi është i madh për filma, sidomos të atyre internacional, filmi që ka interesim më shumë gjatë ditës së sotme është filmi Skrebëll... bashk me edicionin e performancës mbrëmë ka bileta të shitura për mbi 1000 persona", ka thënë Enis Shkurti - Koordinator i Dokushop.
Producentja e festivalit, Alba Çakalli, tha se në natën e dytë të Dokufest është paraparë një program i larmishëm i kombinuar me filma dhe muzikë.
"Sonte fillojmë programin e filmave të shkurtër, kemi disa kategori të filmave që do të shfaqen në kinema të hapura, gjithashtu në orën 5 fillon episodi i parë i “DokuToks” që mbahet tek Shani Efendia, ndërsa natën është edhe performanca e "Forti sevën soll" që mbahet në kuadër të “DokuNights" që do të vazhdojë edhe netët në vijim"
Edicioni i 23 i festivalit DokuFest nisi dje dhe do të vazhdojë deri më 10 gusht. Në tetë kinematë, 5 të hapura dhe tri të mbyllura, do të shfaqen 250 filma të përzgjedhur nga 3 mijë aplikime nga mbarë bota. 103 prej tyre janë në garë në tetë kategori garuese.