Rrjeti i Organizatave të Grave: Të tronditur me vrasjen e fundit të 41-vjeçares nga burri i saj

Një grua e moshës 41-vjeçare, vdiq të premten në orët e para të mëngjesit si pasojë e plagëve të marra që i kishte shkaktuar bashkëshorti i saj ditë më parë.

Gruaja që u identifikua me inicialet M.Zh. Ishte nga nacionaliteti serb nga fshati Gushtericë e Poshtme e komunës së Graçanicës, e cila vdiq në spital ku ishte dërguar më 31 korrik me plagë të rënda në kokë. Lidhur me këtë rast, bashkëshorti i së ndjerës është arrestuar të premten, ku Gjykata Themelore e Prishtinë i shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji, e që nga Prokuroria e Prishtinës, rasti është rikualifikuar si vrasje e rëndë.

Për këtë vrasje pati reagime nga nivelet shtetërore të Kosovës.

Rrjeti i Organizatave të Grave në Kosovë u shpreh e tronditur me vrasjen e fundit, përderisa nga kjo organizatë thonë se janë duke I mbledhur informatat për të kuptuar më shumë rreth këtij rasti.

"Fatkeqësisht dje ishte e premte lajmi u morë vesh pak më vonë dhe jemi ende duke u hulumtuar për me pas një historik të ngjarjes se si ka ndodh. Jemi ne kontakt edhe me anëtarët e rrjetit që janë nga komunitetet serbe, të shohim më detajisht se a është drejtuar tek institucionet, a kanë pas faj institucionet në këtë rast. " Adelina Berisha, rrjeti i Grave të Kosovës.

Adelina Berisha nga kjo organizatë tha se mungon llogaridhënia dhe informimi i saktë i zyrtarëve që e zbatojnë legjislacionin.

"Ata ndoshta nuk kanë marrë vetë ndonjë supervizion dhe kanë kaluar në persona që janë totalisht pandjenja që veç e shohin një rast më shumë, një numër më shumë por i harrojnë që këto raste janë shumë të ndjeshme. Këtu përfshihen familjet, këtu përfshihen fëmijët, këtu janë dinamika tjera, është pushteti në pyetje, burrat kanë pushtet ndaj grave e abuzojnë me këtë pushtet, prandaj duhet t'i kenë parasysh këto dinamika dhe ta shohin dhunën në familje si formë e diskriminimit gjinor ashtu si e kërkon edhe Konventa e Stambollit dhe të trajtohet si e tillë", ka shtuar Berisha.

Që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, ky është i tretë i vrasjes së grave në Kosovë. Në muajin prill, u regjistruan dy raste të vrasjeve nga bashkëshortët e tyre, njëra në Pejë e tjetra në Ferizaj.

Përderisa nga viti 2010 e deri në vitin 2024 në vendin tonë janë vrarë 58 gra.