“Arsye ligjore”, Diskoteka në Prishtinë njofton se Noizy nuk do të performojë nesër
Reperi shqiptar, Noizy, nuk do të performojë nesër në një diskotekë të Prishtinës, ku ishte planifikuar, për shkak të problemeve ligjore.
Ky njoftim ka ardhur pas ngjarjeve të fundit që përfshinë reperin dhe grupin e tij në një incident të rëndë.
Para dy ditësh, Noizy dhe grupi i tij janë përfshirë në një përleshje me tiktokerin shqiptar, Muhamet Iseni, i njohur si “Medi”, dhe një familjar të tij. Raportohet se pas këtij incidenti, Noizy ka rënë në prangat e Policisë.
Diskoteka që kishte ftuar Noizyn për të performuar ka njoftuar se reperi nuk do të jetë i pranishëm në ngjarjen e nesërme.
Në njoftimin e tyre, ata përmendën “arsye ligjore” si shkakun për anulimin e performancës, duke sugjeruar se reperi tashmë është nën ndjekjen e autoriteteve.
Për më tepër, shoku i Noizyt, Stresi, gjithashtu ka anuluar koncertin e tij të planifikuar për sonte në Vushtrri.
Në një postim në rrjetet sociale, Stresi ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka ngritur një fletarrest ndaj tij, duke e detyruar të pezullojë performancën e tij. /telegrafi