Shqyrtimi i rastit të “Calit”, avokatët presin që atij t’i ulet akoma dënimi
Pasi Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës anuloi vendimin për dënimin e Salih Mustafës me burgim prej 22 vitesh, juristët në Kosovë presin që dënimi ndaj tij të ulet akoma.
Sipas tyre, vendimi i Supremes pritet të ndikojë edhe në rastet tjera që Specialja i ka në trajtim.
Nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë në dhjetor të 2022-tës iu shqiptuan 26 vite burgim ish-komandantit të UÇK-së, Sali Musafa nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ndërsa në vitin 2023 dënimi iu ul për 4 vjet më pak.
Shpresa të reja kanë lindur që dënimi nga 22 vjet burgim të ulet akoma.
Kjo pasi Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës anuloi para pak ditësh vendimin për dënimin e tij me 22 vjet burgim.
Sipas avokatit të akredituar të Gjykatës Speciale, Taulant Hodaj, ky hap do të jetë një ndikim edhe tek të akuzuarit e dënuarit tjerë atje.
“E shtjellon dhe jep udhëzime se cilat ligje duhet të aplikohen me rastin e caktimit të lartësisë së dënimit sepse Gjykata e shkallës së parë ka caktuar një lartësi të dënimit më të madhe se është paraparë me ligjin e aplikueshëm në atë kohë dhe thash Supremja po thotë se dënimi nuk duhet të kaloj vitet e parapara me ligjin më të favorshëm që ka qenë në fuqi”, ka thënë Hodaj.
Duke e konsideruar shumë të lartë dënimin dhe të pabazuar, avokati, Kadri Osaj po thotë se mundësia për tu ulur dënimi është shumë e madhe.
“Nëse gjykata e shkallës së dytë ku është kthyer ky shqyrtim i eviton mangësitë sanksioni i shqiptuar më parë do të jetë shumë më i vogël se sa ai që është shqiptuar për faktin se në rastin konkret duhet të aplikohet ligji më i favorshëm sepse me aplikimin e tij do të shqiptohet dënimi më i vogël”, ka thënë Osaj.
Madje ai përmend edhe sa ai mund të ulët.
“Nëse merret parasysh ligji më i favorshëm atëherë dënimi maksimal është 20 vite dhe kjo nuk është shqiptuar asnjëherë kështu që dënimi nuk mund të jetë më tepër se 12 deri 13 vite”, ka thënë avokati Osaj.
Aktvendimi për dënimin e Sali Mustafës ishte i pari nga Gjykata Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë. /rtvdukagjini