288 ditë burgim: Alsu Kurmasheva kthehet në shtëpi
Alsu Kurmasheva, gazetare e Shërbimit Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë është liruar nga burgu më 1 gusht. Ajo ishte pjesë e një këmbimi të burgosurish mes shteteve perëndimore, Rusisë dhe Bjellorusisë. Ajo qëndroi për 288 ditë në burg, pasi Gjykata Supreme e Tatarstanit më 19 korrik e gjeti fajtore për shpërndarje të “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse. Radio Evropa e Lirë sjell një kronologji të burgimit të Alsusë dhe sjell pjesë nga letrat që ajo i shkroi nga paraburgimi.
Në maj të vitit të kaluar, Alsu Kurmasheva, gazetare e Shërbimit Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë, udhëtoi në vendlindjen e saj, Kazan, për të vizituar nënën e saj të sëmurë. Në fillim të qershorit, ajo kishte planifikuar që të kthehej në Pragë, ku edhe jeton, por në aeroportin e kryeqytetit të Tatarstanit, gazetarja u ndalua nga forcat e sigurisë. Ata ia konfiskuan dy pasaportat dhe telefonin. Disa ditë më vonë ndaj saj u iniciua një rast penal për dështim të njoftimit të autoriteteve për shtetësinë e dytë. Alsu Kurmasheva ka shtetësi ruse dhe amerikane.
I ashtuquajturi hetim për këtë rast u zvarrit për muaj të tërë. Vetëm në tetor të vitit 2023, një gjykatës në Kazan e shpalli fajtore gazetaren dhe e gjobiti me 10.000 rubla. Alsu Kurmasheva po përgatitej që të kthehej në shtëpi, ku gjendeshin dy vajzat e saj dhe bashkëshorti.
Megjithatë, një javë pas shpalljes së këtij vendimi, gazetarja e REL-it u arrestua. Ajo u dërgua te Komiteti Hetues, ku u informua se ndaj saj ishte iniciuar një rast penal, sipas nenit 333.1 të Kodit Penal rus, që ka të bëjë me dështim të obligimit për të dorëzuar pranë autoriteteve të Federatës Ruse dokumentet e nevojshme për t’u regjistruar si “agjente e huaj”, shkelje e kryer “nga një person i përfshirë në mbledhjen e informacioneve në fushën ushtarake, të aktiviteteve ushtarako-teknike të Federatës ruse, që pranon fonde të huaja, dhe këto informacione të mbledhura mund të përdoren kundër sigurisë së Rusisë”.
Gazetarja Kurmasheva u dërgua në një qendër ndalimi për disa ditë. Më 23 tetor, Gjykata e Qarkut Sovetski e Kazanit miratoi kërkesën e hetuesve dhe e dërgoi gazetaren në një qendër paraburgimi.
Miqtë e gazetares pranuan letrën e parë të shkruar nga ajo, vetëm disa ditë pasi u arrestua.
“Çfarë ka brenda meje? Sot qava për herë të parë që kur... As që e di se ku e ka fillin kjo punë. Nuk prisja letra apo pako, të jem e sinqertë. Por, të gjitha mu mblodhën, s’munda të përmbahesha. Gjithçka më preku. Veçanërisht fshesa me furçë. Kafeja me hallve – kjo është kafe në stilin tatar”, shkroi Kurmasheva.
Në letrën e saj të parë të shkruar në qendrën e paraburgimit, gazetarja po ashtu tregoi se po bënte joga, po shkruante shumë, po lexonte libra dhe falënderoi të gjithë që po e ndihmonin.
“Sot, për ecje nga çuan në oborrin që ishte 4 me 6 metra. Vrapuan 60 rrethe, në mënyrë që t’i afroheshim vrapimit prej 1 kilometër. Më pas bëmë ushtrime të tjera. Roja u habit shumë. Si duket, kjo gjë nuk ndodh shpesh”, shkroi Alsuja në nëntor të vitit 2023.
Në letrat që pasuan, ajo u ankua disa herë për të ftohtin në qelinë e saj ku qëndronin katër persona.
“Gjithçka që po bëni ju është shumë e nevojshme dhe shumë e rëndësishme. Edhe nëse jeni duke e pirë një kafe apo duke rregulluar një dollap, bëjeni tani”, shkroi Kurmasheva.
Në dhjetor, bashkëshorti i Alsusë, Pavel Butorin, në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se “Alsuja i dinte rreziqet e udhëtimit të saj në Rusi”.
“Nuk ishte një vendim i lehtë”, kujtoi Butorin. “Por, Alsuja nuk është vetëm një nënë që kujdeset për fëmijët e saj, por është edhe një vajzë e devotshme. Dhe, ajo vendosi që të shkojë në Rusi për të ndihmuar të ëmën. Ne e dinim se kishte rreziqe, por nuk menduam se ajo do të përfundonte prapa grilave. Kur u ndalua më 2 qershor teksa po largohej nga vendi, ata menjëherë ia morën nga çanta pasaportën amerikane. Menjëherë u bë e qartë për ne se e gjitha kjo kishte të bënte për faktin se ajo është shtetase amerikane”.
Butorin më pas spekuloi se zvarritja e hetimit për rastin e parë penal ndodhi për faktin se autoritetet “me gjasë po prisnin instruksione nga Moska dhe me gjasë po tentonin të ndërtonin një rast më serioz” ndaj saj.
Disa ditë pasi u publikua kjo intervistë, u bë e ditur që Komiteti Hetues rus kishte iniciuar një rast tjetër penal ndaj Alsu Kurmashevas. Kësaj radhe për përhapjen “e lajmeve të rreme për ushtrinë”. Ajo u akuzua se këtë vepër penale e kreu pas publikimit të librit “Jo Luftës: 40 rrëfime të rusëve kundër pushtimit rus”, që u publikua në vjeshtën e vitit 2022.
“Libri ka një përmbledhje të rrëfimeve të rusëve që nuk duan që shteti i tyre të luftojë me Ukrainën”, tha Pavel Butorin në mesin e muajit dhjetor. “Unë s’jam avokat, por e gjeta online Kushtetutën ruse: ‘Të gjithëve iu garantohet liria e mendimit dhe e shprehjes’; ‘Të gjithë kanë të drejtë të marrin, transmetojnë, prodhojnë dhe shpërndajnë lirshëm informacione nga çdo mjet i ligjshëm’; ‘Liria e shtypit është e garantuar. Censura është e ndaluar’”, citoi ai Kushtetutën ruse, duke shtuar se edhe në Rusi, qytetarët “kanë të drejtë të flasin. Dhe gazetarët kanë të drejtë të mbledhin dhe publikojnë këto deklarata”.
Para se të iniciohej rasti për “përhapjen e lajmeve të rreme për ushtrinë”, Alsuja i shkroi familjes së saj se në qelinë e saj, të paraparë për katër persona, shpesh kishte më shumë njerëz. Ajo përmendi se mund të ndodhë që në mes të natës mund të shtohen shoqe të qelisë, edhe pse aty ishin vetëm katër shtretër. /REL
Shkrimin e plotë mund ta lexoni: KETU