Ekstradohet në Shqipëri Leonard Duka, armiku i Ervis Martinajt

Leonard Duka – armiku i Ervis Martinajt, është ekstraduar në Shqipëri nga Belgjika.

Ai iu dorëzua autoriteteve shqiptare, rreth 18 muaj pasi u arrestua në një provincë të Brukselit.

Operacioni për ekstradimin e 37-vjeçarit u arrit pas negociatave nga Interpol Tirana, që mundësoi që autoritetet belge të pranojnë që Duka të përballet me drejtësinë shqiptare.

Ai prej disa vitesh rezulton në kërkim si nga policia gjithashtu edhe nga SPAK-u, ndërsa akuzohet si një organizatorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko në gusht të 2019-ës në Tiranë, i cili njihej dhe si krahu i djathtë i të zhdukurit Ervis Martinaj, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Veç kësaj ngjarje, Dukës iu shtua një tjetër akuzë nga SPAK-u, ajo e “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” në kuadër të operacionit të koduar Revanshi, i finalizuar falë zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin Sky ECC.

37-vjeçari i ndihmuar dhe nga eksponentë të tjerë të botës së krimit thurte plane për eleminimin fizik të Ervis Martinaj dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore.