Kërkohet paraburgim për burrin në Graçanicë, që e rrahu gruan e tij për vdekje
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Graçanicë, ku një grua ka vdekur si pasojë e goditjeve që ka marrë nga bashkëshorti i saj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se më 31 korrik 2024, prokurori kujdestar është njoftuar nga Policia për një rast të dhunës në familje në Graçanicë.
Tutje, Prokuroria thekson se ky rast ka qenë i iniciuar si “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, ku për të dyshuarin Prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Në kohën kur i njëjti ka qenë nën këtë masë, e ndjera (viktima) ka ndërruar jetë, andaj rasti është deleguar për trajtim në Departamentin për Krime të Rënda të kësaj Prokurorie, si dhe është rikualifikuar “Vrasje e rëndë”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhëresë për autopsi për të ndjerën, gjithashtu ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, në gjykatën kompetente.
Në koordinim të plotë me policinë dhe njësitë relevante janë duke u ndërmarrë veprime hetimore karshi këtij rasti.
Ndryshe, viktima M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut.