Asgjësohen 26 tonë me mish, që u refuzua për import

Nën mbikëqyrjen e autoriteteve të kontrollit kufitar MIK bashkë me ATK-në, u asgjësua ngarkesa prej 26 022 kg mish.

Lajmin e ka bërë të ditur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, e cila tha se ngarkesa ishte refuzuar më datë 23 korrik, për shkak të mosruajtjes në kushte adekuate gjatë transportit.

“Në pamundësi të kthimit në vendin e origjinës. Operatori ekonomik ka paraqitur kërkesë për asgjësimin e mallit. Duke respektuar procedurat, AUV-i pranon kërkesën për asgjësim. Ngarkesa e bllombuar dhe nën kontroll të autoriteteve është sjellë nga porti i Durrësit në Prishtinë. E njëjta direkt përmes kompanisë së licencuar të mbeturinave është shkatërruar dhe asgjësuar në deponinë e mbeturinave në Mirash - Obiliq”, thotë AUV-i, duke shtuar se asgjësimi është realizuar duke u respektuar kushtet për shkatërrim të mallrave në vend-lokacion të caktuar për mbeturina dhe i gjithë procesi është zhvilluar me prezencën e zyrtareve shtetërorë. /Zëri