Fol: Qeveria realizoi vetëm 33% të planit për zhvillim, për tri ministri s’ka të dhëna pasi s’u përgjigjën

Lëvizja Fol ka publikuar të enjten rezultatet nga monitorimi i zbatimit të aktiviteteve të parapara nga Qeveria për periudhën e parë gjashtëmujore të këtij viti.

Sipas gjetjeve, Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete në kudër të Planit kombëtar për zhvillim, ka realizuar vetëm 33 për qind prej tyre, kurse 40 për qind kanë mbetur pa u realizuar.

EO-ja raporton se drejtoresha Mexhide Demolli ka thënë se për 27 për qind të aktiviteteve nuk ka të dhëna, pasi nuk kanë pasur përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Qeveria e Kosovës nga 147 aktivitete të parapara t’i realizojë gjatë periudhës janar-qershor 2024 ka arritur t’i realizojë vetëm 49 prej tyre apo 33%. Ndërkaq, 59 aktivitete apo 40% e tyre kanë mbetur të parealizuara.

“Ndërsa, për 39 aktivitete, ose 27%, që i bie totali për tri ministri, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lëvizja Fol nuk ka marrë përgjigje se sa janë realizuar këto aktivitete për periudhën e paraparë gjashtë mujore të këtij viti. Kemi bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe jemi në pritje të realizimit të së drejtës tonë për të pasur qasje në këto të dhëna”, citohet se ka thënë ajo.

Katër ministri ndërkaq nuk kanë pasur asnjë aktivitet të planifikuar për këtë periudhë.

“Përveç tri ministrive që nuk janë përgjigjur, i kemi edhe katër ministri që nuk kanë pasur asnjë aktivitet të planifikuar për periudhën e parë të këtij viti, të cilat janë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Komunitete dhe Kthim. Këto ministri, realizimin e aktiviteteve të tyre për Planin Kombëtar e kanë paraparë që ta bëjnë një herë në vit. Nga ajo që kemi mësuar nga gjithë këto vite monitorim është se kjo bëhet për t’i ikur pak raportimit”, u shpreh ajo.

Monitoruesja Burbuqe Kastrati ndërkaq u shpreh: “Mirëpo për dallim nga gjashtëmujori i parë i vitit 2022 ku kanë qenë të planifikuara 2077 aktivitete, në vitin 2024 kanë qenë vetëm 147, pra 1930 aktivitete më pak se në vitin 2022. Gjithashtu për periudhën e njëjtë në vitin 2022 janë realizuar 947 aktivitete më shumë se në vitin 2024. Nga të dhënat e mësipërme del se puna e Qeverisë ka pësuar rënie në zbatimin e këtij plani në tre vjetët e fundit”.