Raportohet se tiktokeri Medi Iseni u rrah brutalisht nga Noizy me shokë në Pejë

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale, bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Sinjali.

Mbrëmë rreth orë 03:00 të mëngjesit ka ndodhur një rrahje brutale në diskotekën “Sancy” në Pejë, ku dy grupe u përfshinë në një rrahje që motivet ende nuk dihen.

Siç merr vesh Sinjali, thuhet se bëhet fjalë për grupin e reperit, Noizy i cili u përfshi me disa persona të tjerë në këtë rrahje.

Sipas burimeve të Sinjalit, dy persona dyshohet se janë sulmuar nga reperi shqiptar dhe 7 burra të tjerë – me boks hekuri.

Sinjali merr vesh se personat e sulmuar nga grupi i reperit janë Muhamet Iseni – (tiktoker i njohur si Medi) dhe Bekim Hardergjonaj.

Viktimat kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.

Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës, por deri në këto çaste nuk ka ndonjë informacion zyrtar për rastin.

Kujtojmë se Muhamet Iseni edhe para dy vitesh kishte telashe në vendet ku Noizy performonte.