Dasma me të shtëna, policia konfiskon tri armë në Mitrovicë, Vushtrri dhe Skënderaj
Gjatë 24 orëve të fundit njësitet policore në Mitrovicën e Jugut, Vushtrri dhe në Skënderaj kanë konfiskuar tri armë zjarri, për shkak të të shtënave në ahengje familjare.
Policia ka njoftuar se një armë është konfiskuar në Mitrovicën e Jugut, pasi ishte raportuar për të shtëna me armë në rrugën “Hasan Ferri”, ku si rezultat i reagimit të njësive policore është identifikuar lokacioni dhe ka rezultuar se aty kishte një aheng familjar, me ç’rast është konfiskuar një armë e llojit pistoletë.
Një armë e llojit pistoletë është konfiskuar edhe në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, për shkak të të shtënave në aheng.
Gjithashtu edhe në Skënderaj në rrugën “Salë e Hamit Jashari”, për shkak të të shtënave gjatë një ahengu familjar, policia ka konfiskuar një armë të llojit pistoletë.
Bëhet e ditur se në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët, ndërsa pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale: “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës”. /Zëri