E pazakontë, dy vëllezërit nga Gjakova qe dy vjet jetojnë në veturë [video]

Vëllezërit Tomor dhe Isuf Bedra nga Gjakova qe 2 vjet e 9 muaj po jetojnë në veturën e tyre. Kushtet e tyre janë të vështira, thonë se kanë kërkuar ndihmë nga Komuna, por që nuk i kanë ndihmuar. Ndërkohë, një variant tjetër na dhanë nga komuna që po udhëhiqet nga Ardian Gjini.

Vëllezërit po pretendojnë se kryetari Ardian Gjini në njërën prej mbledhjeve të asamblesë komunale ka gënjyer kur ka thënë se u ka ofruar ndihmë atyre, pra një banesë ku ata do të mund të qëndronin.

Tomor Bedra thotë se përgjigjja nga Komuna iu kthye se nuk ka “banesa të lira”. Kjo është konfirmuar edhe nga Komuna, por që kanë dhënë një sqarim tjetër.

Në përgjigjen që Komuna ka përcjellë për Insajderin përfshihet edhe një shkrim i koordinatorit të Degës së Bereqetit në Gjakovë, Abdurrahman Bejtullahu.

Kjo letër nis me fjalinë “Me të vërtetë rasti i Tumor dhe Isuf Bedra është rast shumë i prekshëm për qytetin tonë, por ja që zgjidhja nuk jepet pa përkrahjen dhe angazhimin e tyre në radhë të parë dhe më pas nga bamirëset tanë që i kemi nga vendi dhe diaspora”, duke lënë të nënkuptohet se janë vëllezërit Bedra ata që nuk po bashkëpunojnë për ta përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike.

Madje, në këtë letër që shihet që është nënshkruar në korrik të këtij viti, pos të tjerash përmendet se vëllezërit Bedra nuk kanë pranuar të punësohen.

Aty përmendet edhe çështja e pagesës së qirasë, për të cilën thonë se vëllezërit Bedra nuk u pajtuan. Kërkuan diçka tjetër.