Kurti: Suksesi i Donjetës dhe i xhudistëve duhet të inkurajojë të rinjtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Donjeta Sadiku po edhe xhudistët e Kosovës duhet të inkurajojnë të rinjë kosovarë për t`u marrë me sport.
Pas një performance të shkëlqyer në duelin e parë të saj në Lojërat Olimpike "Paris 2024", boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka marrë lëvdata dhe përkrahje të madhe nga kryeministri Albin Kurti. Në një intervistë për RTK-në nga Parisi me gazetarin Artan Muhaxhiri, kryeministri theksoi rëndësinë e kësaj fitoreje dhe rolin e sportistëve në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
"Kjo sonte është fitore tejet e rëndësishme dhe fort e merituar e boksieres Donjeta Sadiku, e cila e ka pjesëmarrjen e saj të dytë në Olimpiadë dhe përveç kësaj dominoi, unë besoj edhe në raundin e parë dhe jo vetëm në dy raundet në vijim dhe kësisoj shënoi një fitore, e cila njëmend është një fitore në boks me duar, por siç thotë populli ynë është fitore me këmbë të mbarë për komplet ekipin e Kosovës në Lojërat Olimpike 'Paris 2024'," tha Kurti.
Ai theksoi se performanca e Donjetës, përkundër presionit nga boksierja tajlandeze, ishte vendimtare.
“Boksierja tajlandeze siç e pamë kishte një garth të mbyllur dhe ishte e përqendruar në marrjen e hapësirës për ta shtyrë në kënd boksieren tonë, mirëpo shumësia dhe saktësia e goditjeve ishin në anën e Donjetës dhe besoj se kjo ishte vendimtare që ajo të fitoi sonte, ku një kontribut fare të vogël, siç thatë edhe ju, e dhamë edhe ne me brohoritjet Kosova-Kosova dhe Donjeta-Donjeta. Unë nuk besoj që Donjeta e ka humbur as raundin e parë, por ashtu besuan gjyqtarët. Por, besoj se vlerësimi i tyre subjektiv i tillë çfarë ishte, ishte një motiv shtesë për Donjetën për raundin e dytë dhe të tretë”, tha i pari i ekzekutivit.
Kryeministri vuri në dukje rëndësinë e projektit "Supersportistët" të nisur nga Qeveria e Kosovës, duke theksuar se sporti është thelbësor për shëndetin fizik dhe mental të qytetarëve dhe se investimi në sportin elitar është një prioritet i qeverisë që drejton.
“Ne jemi të interesuar edhe ta bëjmë sportin kulturë në Kosovë, sepse është i rëndësishëm për shëndetin fizik e mental, por edhe pa dyshim duam të investojmë sa më shumë në sportin elitar, në mënyrë që sa më shumë sportistë e sportiste tona të rikthehen me medalje në Kosovë prej kampionateve të ndryshme dhe rasti i Donjeta Sadikut dhe xhudisteve tona besoj se do t’i motivoj, do t’i inspiroj gjithnjë e më shumë vajza dhe djem të Kosovë që të merren me sport, pëfshirë edhe boksin”, shtoi ai.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e garave të ardhshme për ekipin e Kosovës, veçanërisht në xhudo, atletikë dhe not. “Tash siç e thatë edhe ju në ditët në vijim do të kemi disa gara tejet të rëndësishme e të vlefshme për ekipin tonë dhe perspektivën në xhudo, e pas kësaj do të rikthehemi te Donjeta. Ne e pamë italianen para Donejtës dhe amerikanen pas saj, që shënuan fitore. Konkurrenca është shumë e madhe, janë boksiere të fuqishme, ku nëse nuk e sheh që kategoria është deri në 60 kg, e keni përshtypjen se është një kategori më e lartë, për shkak se me shpejtësi e teknik e kompensojnë edhe peshën. Sido që të jetë, me atë çfarë pamë sonte prej Donjetës dhe duke e njohur shpirtin e saj luftarak jemi optimistë për në vijim”, tha Kurti.
Kryeministri përmendi edhe emocionet e tij gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike, si dhe rolin e sportit në diplomacinë ndërkombëtare.
“Është e qartë se në mesin e popujve, jo vetëm të shteteve, ne kemi shumë mbështetje. Jo vetëm kultura dhe ekonomia, por edhe sporti më shumë se sa që mendojnë e afirmon ndërkombëtarisht vendin tonë. Prandaj, sporti ka një aspekt të rëndësishëm të diplomacisë e politikës së jashtme, prej faktit që nëpërmjet tij arrin që ta paraqesësh vendin në një dritë pozitive, garuese, pjesëmarrëse dhe fituese deri te ajo që vendosen kontakte e shkëmbime me shtete tjera, të cilat pa dyshim kanë rëndësi për sportin po jo vetëm për sportin. Janë relacione edhe politike e diplomatike, të cilat pa dyshim e ndihmojnë shtetin tonë e popullin tonë”, përfundoi Kurti.