Kusari: Musliu duhet të mbrohet, çdo tentim i RTK-së për ndëshkim ndaj tij është vepër penale
Jeton Musliu, redaktori i lajmeve qendrore në RTK, ka zbuluar prapa skenat e lajmit të “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia. Duke konfirmuar se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, ai u distancua nga ky lajm.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas kësaj duke thënë se Jeton Musliu, duhet mbrojtur me Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve
Ajo tha se është e tronditur nga ajo që Musliu ka treguar se si ushtrohet censura dhe ndikimi politik nga ana e Vetëvendosjes në RTK.
“Redaktori i RTK-se Jeton Musliu ka shkruar ne faqen e tij ne Facebook ne detaje se si ushtrohet cenzura dhe ndikimi politik nga ana e Vetevendosjes ne RTK. Jam thellesisht e tronditur dhe sigurisht qe do te flasim me gjate.
Ajo qe eshte me rendesi tani eshte te qartesohet qe Jeton Musliu e ka perdore lirine e tij te shprehjes per te ndare informacione qe jane ne interes te publikut. Jeton Musliu eshte sinjalizues dhe mbrohet me Ligjin per Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Ai po ashtu mbrohet me Konventen Europiane per te Drejtat e Njeriut, perkatesisht me nenin 10″, tha Kusari.
Tutje, Kusari në “Facebook” ka shkruar se nëse fillohet procedurë disiplinore ndaj Musliut, do përbente vepër penale.
“Cdo tentim i RTK-se per te filluar procedura disiplinore, civile apo penale ndaj tij eshte veper penale ne Kosove sipas nenit 388.2. Personi qe inicion cfaredo procedure ndaj tij ben veper penale dhe shpresoj qe prokuroria do te monitoroj kete rast per te mbrojtur sinjalizuesin Jeton Musliu”, sqaroi ajo.
Ndryshe Musliu ka njoftuar se tashmë ka kërkuar të largohet nga pozita e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK, përkatësisht risisteminin e tij.
“1-Kërkoj largimin tim te menjehershem nga detyra e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK dhe risistemimin tim. 2-Lejimin nga ana juaj të publikimit të sqarimit tim për media ngase situata është tërësisht e padurueshme dhe e papranushme per mua”, ka deklaruar Musliu.