Jep dorëheqje shefi i Urgjencës së QKMF-së në Gjilan, thotë se e bëri për skandalet e të tjerëve

Leotrim Kurteshi ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Nagip Rexhepi, në Gjilan, derisa ka ftuar prokurorinë të hetojë rastin e vdekjes së një pacienti për shkak të mos intervenimit me kohë të mjekut të urgjencës.

Kurteshi, përmes një postimi në profilin e tij Facebook, ku ka theksuar se dorëheqja e tij ka të bëjë për arsye morale e profesionale të tij për skandalet e të tjerëve.

“Ju njoftojë se jap dorëheqje nga pozita e shefit të Urgjencës në QKMF-në ‘Dr.Nagip Rexhepi’ në Gjilan. Për arsye morale e profesionale për skandalet e të tjerëve”, thuhet në reagimin e tij, derisa ka ftuar Prokurorin e Shtetit të hetojë rastin.

Ai ka theksuar se shkaku i skandaleve është se mjeku i urgjencës nuk i përgjigjet thirrjes së pacientëve për ndihmë dhe si rezultat pacienti ka ndërruar jetë.

“Shkaku i superskandaleve është se mjeku i Urgjencës nuk i përgjigjet thirrjes së pacientit për ndihmë (nuk shkon fare); për fatkeqësi, pacienti ka ndërruar jetë. Infermierë të Urgjencës në orarë të punës janë vërejtur duke pirë kafe në një kafiteri pranë QKMF-së”, ka theksuar Kurteshi, transmeton Telegrafi.

Kurteshi potencon se ka organizuar mbledhje të Urgjencës për të shprehur shqetësimin e tij për këto raste, ku ka ftuar drejtorin e QKMF-së, zavendësdrejtoreshën, kryeshfen, koordinatoren e cilësisë për të marrë pjesë, po që sipas tij të njëjtit nuk kanë marrë pjesë në takim.

“Kam organizuar mbledhje të Urgjencës për të shprehur shqetësimin për këto raste dhe kam ftuar drejtorin e QKMF-së, zëvendësdrejtoreshën, kryeshefen, kordinatoren e cilësisë për të marrë pjesë. Dhe për çudi. Ata NUK KANË ARDHUR”, ka potencuar ai.

Kanë kaluar një muaj, ku sipas Kurteshit kryetari i komunës, drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi si dhe drejtori i QKMF-së kanë heshtur ndaj këtij rasti dhe jo më larg se para dy ditësh ky i fundit pati përgatitur shkarkimin e tij.

“Kanë kaluar gati 1 muaj, ndërsa drejtori i QKMF-së HESHT. Jo më larg se para 2 ditësh më thotë se është përgatitur shkarkimi juaj.

Cilin shkarkim, për mbulimin e skandaleve të njëpasnjëshme të institucionit shëndetësor që po “mirëmenaxhohet”. Apo shkarkimin për të heshtur bashkë me ju”, ka shkruar tutje ai.

Si përfundim, Kurteshi ka listuar një sërë ankesash të cilat i ka adresuar, por që sipas tij këto kanë hasur në vesh të shurdhër.