Të hënën, aktgjykimi ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit

Më 29 korrik do të shpallet aktgjykimi në çështjen penale, e cila është në rigjykim kundër Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiu, të cilët po akuzohen për vrasjen e Marigona Osmanit.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Ferizaj, transmeton Zeri.info.

“Ju njoftojmë se të hënën, më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale ‘Dhunimi’, nga Neni 227, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit’, nga Neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1, lidhur me Nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Seanca e shpalljes së aktgjykimit do të jetë e hapur për publikun.

Kujtojmë se rasti ndaj tyre është në rigjykim në Gjykatën e Ferizajt, pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin, me të cilin Dardan Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm e Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim. /Zëri