Nga një muaj paraburgim pesë të dyshuarve për dallavere me patenta shoferi, arrest shtëpiak për të gjashtin

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit, A.Sh., R.S., L.G., M.I. dhe D.T. (secilit veç e veç), ndërsa masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës T.Sh.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” bashkëpunëtorja profesionale e kësaj Gjykate, Elzana Kastrati.

“Sipas kërkesës suaj, ju njoftoj se ndaj të pandehurve A.SH., R.S., L.G., M.I. dhe D.T. është caktuar masa e paraburgimit nga data 23 korrik 2024 deri më 22 gusht 2024, ndërsa të pandehurës T.SH. i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje të njëjtë me të pandehurit e tjerë”, thuhet në përgjigjen e Kastratit.

Ndryshe, Policia e Kosovës më 23 korrik 2024 ka bërë të ditur se ka zhvilluar një aksion në tetë lokacione në regjionin e Pejës dhe dy në regjionin e Prishtinës, ku janë arrestuar gjashtë të dyshuar dhe janë sekuestruar mbi 7 mijë euro. Sipas Policisë, aksioni është realizuar nën dyshimin se të dyshuarit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Marrja e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit në sektorin privat” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.

Policia njoftoi se gjashtë të dyshuar janë persona zyrtarë në Departamentin e Patentë Shoferëve, të cilët dyshohen se organizuan provime, duke mos i përfillur format zyrtare elektronike.

“Personat e dyshuar, gjashtë (6) prej tyre persona zyrtarë nga Departamenti i Patentë Shoferëve, Ministria e Infrastrukturës, duke bashkëvepruar dyshohet se kanë vepruar jashtë rregulloreve dhe udhëzimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, duke organizuar provime për marrjen e patentë shoferëve jashtë orarit zyrtar të punës, duke përdorur metodën e testimeve në formë fizike dhe duke mos i përfillur format zyrtare elektronike. Dyshohet se testet janë plotësuar në emër të kandidatëve nga ana e zyrtarëve të Njësisë së Patentë Shoferëve në Pejë dhe të njëjtat në mënyrë të kundërligjshme janë futur në sistem nga ana e zyrtarit të IT-së”, thuhej në njoftim.

Sipas Policisë, tre të dyshuar - pronarë të autoshkollave, dyshohen se kanë rekrutuar kandidatë dhe kanë siguruar dokumentacion, duke falsifikuar dokumentet e nevojshme, me qëllim të futjes së tyre në provim.

“Gjatë operacionit policor të bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: shtatë mijë e tetëqind euro 7800 €, gjashtë telefona mobilë, si dhe materiale të ndryshme lidhur me testime të kandidatëve. Lidhur me rastin personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e avokatëve të tyre mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të lëndës, 6 prej tyre iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve dhe një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt për shkaqe shëndetësore”, thuhej në njoftim.

Po ashtu, Policia bëri të ditur se për tre nga të dyshuarit e përfshirë në rast, të cilët nuk janë hasur, do të ndërmerren veprime të nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre.