Bislimi takon Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.

Nga qeveria bëhet e ditur se palët diskutuan mbi situatën aktuale në vend, ku zëvendëskryeministri Bislimi e njohu Blankenborg me punën e Qeverisë në kontekst të zhvillimit të vendit në rrafshin ekonomik, duke veçuar dhe të dhënat më të fundit që tregojnë për ulje të papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2023, nga 11.8% sa ishte në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%.

“Zëvendëskryeministri shtoi se këto rezultate të arritura në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në tërësi, në tri vitet e fundit, janë histori suksesi e shtetit tonë dhe projektim premtues për të ardhmen e vendit, dëshmuar dhe nga rankimet pozitive në indekset ndërkombëtare. Më tej, ata biseduan dhe mbi zhvillimet në rajon e procesin e dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg, për bisedën e zhvilluar dhe takimin e frytshëm e produktiv”, thuhet në komunikatë.