Serwer: Harrisit mund t’i duket Kosova si Tajvani e Ukraina
Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer, është shprehur se ardhja e mundshme e Kamala Harrisit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mund të kishte ndikim edhe në politikën në Ballkan.
Sipas tij, ajo është e ashpër ndaj Kinës, ashtu si presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump, por që është shprehur se “Kosova asaj mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina”, në aspektin e konflikteve territoriale.
“Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t’i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se Kosova duhet të ruhet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republika Sërpskas. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer në blogun e tij në internet.
Analisti politik është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.
“Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike…”, ka thënë ai.
Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.
“Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer, derisa “risi” e ka cilësuar marrjen e detyrës së zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor nga Alexander Kasanof.