Ministrat Sveçla e Krasniqi kalojnë në këmbë urën e Ibrit, a po paralajmërohet hapja e saj? [foto]
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituan sot Mitrovicën e Veriut.
Që të dy ministrat së bashku kanë kaluar në këmbë urën e Ibrit, ende nuk dihet se me këtë që bënë dy ministrat a po paralajmërojnë hapjen e saj ose jo apo kanë dalë vetëm për vizitë.
Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.
Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.
Zyrtarë të këtij Kuvendi, madje, patën thënë se hapja e urës është edhe nën juridiksion të Mitrovicës së Jugut dhe të misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, pati paralajmëruar në maj se ura “do të hapet shpejt” dhe se po diskutohet me eprorët se si të bëhet kjo.
Faktori ndërkombëtar, në anën tjetër, po kërkon vazhdimisht të ketë koordinim mes të gjitha palëve të prekura që të mos përshkallëzohet situata.
Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.