Nagavci për furnizimin me tekste shkollore: Po vazhdon puna, së shpejti do të dalim me konferencë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është duke u punuar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore dhe se pritet së shpejti të mbahet një konferencë e veçantë për media për këtë çështje e ku do të jepen më tepër informata, raporton Ekonomia Online.

Nagavci ka thënë se puna për furnizim është nisur, ku janë finalizuar listat e teksteve të miratuara dhe se ato janë ndarë me drejtoritë e arsimit.

“Të njëjtat janë dorëzuar te MASHTI. Kemi pranuar tashmë edhe prej shtëpive botuese të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. Puna po vazhdon. Besoj se për procesin e furnizimit me tekste shkollore, shumë shpejt do të kemi konferencë të veçantë, ku do të ndajmë të gjitha të dhënat”, ka thënë Nagavci në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

Ajo ka folur edhe për Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, të cilit nuk i janë akredituar katër programe, shkaku i problemeve me infrastrukturë.

Nagavci ka thënë se janë të ditura tashmë problemet me infrastrukturë në Fakultetin e Bujqësisë.

Ajo ka thënë se ndonëse janë realizuar pagesat fakulteti nuk është ndërtuar asnjëherë dhe ka probleme serioze. Ajo ka thënë se Universiteti i Prishtinës e ka dërguar lëndën në prokurori, pasi ka pretendime për abuzime me kontratën për ndërtim.

“Përveç që është keqpërdorur buxheti i shtetit, është rrezikuar edhe akreditimi i programeve të reja. Bashkë me rektorin Qerimi jemi mobilizuar të gjejmë zgjidhje të mos dështojnë këto programe. UP ka sjellë kërkesë, janë identifikuar hapësirat ku mund të realizohet zhvillimi i ligjëratave deri te finalizimi i ndërtimit të Fakultetit. Është në mandatin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të trajtojë kërkesën”, ka thënë Nagavci, ndërsa ka shtuar se UP-ja ka ofruar hapësira për një periudhë njëvjeçare.

Sa i përket përfshirjes së lëndës së kodimit në shkolla, Nagavci ka thënë se ka filluar të implementohet nëpër disa shkolla në komuna të ndryshme, ku po zgjidhet si lëndë zgjedhore.

Nagavci ka pasur edhe kërkesë për DKA-të që çdo kërkesë të bëhet nëpërmjet rrugëve zyrtare.

“Deklarata se e kemi njoftuar dikë në Ministri, po i referohem çështjes së teksteve, mund të mbesin të parealizuara për shkak të komunikimit jo të duhur formal”, u shpreh Nagavci.