Konjufca priti në takim themeluesit e shkollës shqipe “Alba Life” në New York
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Qemal dhe Kozeta Zylon, themeluesit e shkollës shqipe “Alba Life”, që operon nëpër të gjitha lagjet e New Yorkut, si dhe mësimdhënësen Fatlinda Gashi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Kuvendit, bashkëbiseduesit folën mbi rolin e shkollave shqipe në mërgatë dhe rëndësinë e tyre në edukimin e gjeneratave të reja, në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës tonë.
“Ai i falënderoi mysafirët dhe të gjithë ata që angazhohen në këtë shkollë me punën e tyre në drejtim të edukimit, duke u shprehur mbështetje në vazhdimin e këtij misioni fisnik dhe theksoi gatishmërinë e bashkëpunimit”, thuhet në njoftim, shkruan Zeri.info.
Po ashtu bëhet e ditur se, mysafirët e njoftuan Konjufca rreth programeve dhe aktiviteteve të tyre.
Ata e falënderuan për pritjen dhe gatishmërinë, duke shprehur vendosmërinë për të punuar edhe më tutje në drejtim të edukimit dhe profesionalizimit të fëmijëve shqiptarë, të cilët në të ardhmen do të kontribuojnë për vendin dhe kulturën tonë. /Zëri