Avokati Koci autorizohet nga familja për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit
Avokati Arianit Koci është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit nga Serbia.
Këtë e ka konfirmuar avokati Koci.
“Menjëherë kanë nisur kontaktet me autoritetet e Beogradit. Jam në koordinim me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari”, ka thënë Koci për Express.
Sipas tij, ende nuk dihet vendi se ku është trupi i Faton Hajrizit.
“Disa procedura i kemi kryer. Kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beograd, Shid ose Novi Sad, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura”, tha ai.
Autorizimi i Kocit nga familja e tij vjen pasi ai vetë ka shprehur gatishmërinë publike dhe humanitare, që nëse autorizohet nga familja Hajrizi dhe shteti i Kosovës, do të niset për Serbi, për ta zbardhur çështjen, të vërtetën, identitetin dhe mbi të gjitha për të kërkuar kthimin e kufomës në Kosovë, gjegjësisht te familja.