Kastrati: Po ta kishte zënë Serbia Thaçin gjatë luftës do t’ia bluante kockat, Kurtin e pati në dorë dhe e lëshoi

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, e ka akuzuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kastrati e ka krahasuar LVV-në me ish-KGB-në ruse dhe FSB-në e sotme në Rusi, e udhëhequr nga Putini.

“Departamenti i propagandës (i Deona Mihajlave) në LVV funksionon mbi modelin e ish-KGB-së ruse dhe FSB-së së sotshme të Putinit. Rasti me Nacionalen dhe Periskopin e konfirmojnë këtë”, tha ai.

Tutje, sipas Kastratit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tenton që përmes deklaratave publike të fitojë vota për Kurtin.

“Kur Vuçiqi thotë se me Hashim Thaçin ka qenë i lehtë dialogu, ndërsa me Kurtin vështirë, qëllimi i tij është që deklaratat e tij ti përkthehen në vota për Kurtin. Pra, që Kurti t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë.

Pse? Sepse Kurti i ka sjellë 500 milionë euro sanksione Kosovës, ka sjellë sanksione për FSK-në nga SHBA-ja, e ka quajtur naiv sekretarin Blinken dhe ka dëmtu marrëdhëniet me SHBA-në, e ka izolu Kosovën nga aleatët perëndimorë, ka zbrazur Kosovën nga rinia, ka rrënuar ekonominë, ka prishur marrëdhëniet ndërshqiptare (me gjithë politikanët në Kosovë, me Edi Ramën në Shqipëri, me Ali Ahmetin në Maqedoni dhe me disa në Preshevë) dhe se në LVV-në e tij ka zyrtarë e ministra të lartë që kanë shprehur gatishmëri të dëshmojnë në Hagë kundër UÇK-së”, tha Kastrati.

Kastrati u shpreh se “po ta kishte zënë Serbia gjatë luftës Hashim Thaçin do t’ia bluante kockat me makinë të mishit. Kurtin e patën në dorë, por e lëshuan”.