LDK: RTK-ja është dorëzuar tërësisht
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas lajmit të publikuar në RTK në lidhje me disa media në Kosovë, që kinse të njëjtat kanë lidhje me Serbinë, gjithmonë duke iu referuar një hulumtimi të mediumit boshnjak.
Sipas LDK-së, mediumi i presupozuar si publik është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit, transmeton Zeri.info.
Tutje, LDK-ja thotë do të shfrytëzojë mekanizmat parlamentarë për të vënë në dritë kapjen dhe për t’i mbajtur përgjegjës kapësit dhe shërbëtorët e propagandës.
Reagimi i plotë i LDK-së:
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është dorëzuar tërësisht. Mediumi i presupozuar si publik është shndërruar në vegël të interesit ordiner të pushtetit. RTK-ja jashtë çdo morali e etike godet mediat e Kosovës, ua bën gjyqin publik dhe i dënon me epitetin e tradhtarit e shërbëtorit të interesave të huaja.
LDK-ja e ka dëshmuar tash e dy vjet - nëpërmjet bojkotit të plotë - se ky medium i thirrur për të përfaqësuar interesin publik dhe promovuar liritë, është shndërruar fatkeqësisht në Bastillen e fjalës së lirë. Në RTK shtypet e vërteta dhe konstruohet propaganda. Reagimet e koordinuara me zyrat partiake e pushtetare, ndërsa, të shfaqura qartazi tashmë, dëshmojnë kapjen e thellë të mediumit publik.
Dhe ky është vetëm fillimi sepse kur sulmohen mediat është shenjë se shpifjet, frikësimet do bëhen edhe më të shpeshta e të dukshme edhe ndaj kundërshtarëve të pushtetit. Prandaj reagimi ynë i përbashkët është domosdoshmëri!
LDK-ja do të shfrytëzojë mekanizmat parlamentar për të vënë në dritë kapjen dhe për t’i mbajtur përgjegjës kapësit dhe shërbëtorët e propagandës. Për më tepër bashkë me qytetarin e Kosovës do ta mbrojmë fjalën e lirë dhe interesin publik në këtë vend me çdo çmim!