Haradinaj: Vështirë ta lidhësh Faton Hajrizin me Serbinë, Albulena Haxhiu ka tendencë të kamuflojë diçka

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu gaboi me deklaratën se Serbia ka gisht në arratisjet e disa të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

Haradinaj i shprehi ngushëllime familjes së Faton Hajrizit, i cili u raportua se të premten është vrarë në Serbi, pas arratisjes nga Burgu i Smrekonicës në Vushtrri.

Për Kosovën ky rast tha se “është humbje”.

“Mendoj se Kosova i ka dy humbje të tjera, pos jetës së një qytetari tonë, të Fatonit në këtë rast. Ka ra prej provimi shteti ligjor i Kosovës, sistemi korrektues, por po ashtu humbja e radhës është se Serbia do ta shfrytëzojë këtë situatë për ta akuzuar Kosovën dhe për ta bërë një kundërvlerë të asaj që ka ndodhur me sulmin terrorist në Banjskë. Pra, nuk është një situatë e mirë për Kosovën”, tha Haradinaj mbrëmë në “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”.

Ai tha se s’mund të lidhet Faton Hajrizi me Serbinë.

“Vështirë me bë një lidhje mes Faton Hajrizit e Serbisë, përkundër faktit se ai veç fizikisht është ndodhur atje. Vështirë me bë ndonjë lidhje. Ai nuk ka pasë ndonjë afinitet ose afërsi në çfarëdo mënyre me shërbimin… Ai shquhet si palë e kundërt e Serbisë dhe kjo u vërtetu edhe në ballafaqimin e tij me policët. Pra, ai nuk pranoi as me u dorëzu në Serbi”, tha ai.

Haradinaj tha se Haxhiu “e ka gabuar materien”.

“Nëse është dashtë me u mbrojtë Kosova, ajo ka mujtë me thënë që për fat të keq ne kemi dështu dhe shihet çfarë sjellje ka Serbia”, tha ai.

Ish-kryeministri tha se nevojitet një “hetim ndërkombëtar”, ndërsa në deklaratat e ministres së Drejtësisë tha se “është tendenca me kamuflu diçka”.

“Kurti ka ba gabim që e ka bë këtë ministre të Drejtësisë dhe Sveçlën ministër të rendit. Këta kanë qenë antipod i këtyre temave. Kjo ka mujtë me dalë ndoshta ministre e mirë e Rinisë, Kulturës, diçka ngjashëm, aktiviste, militante. Por ta sjellësh njeriun që çdoherë gjatë jetës së vetë ka qenë e anshme në konceptet e veta, për ligjin, për drejtësinë, ka qenë palë, ta sjellësh ministre është pak teprim”, tha Haradinaj.

Deklarata e Haxhiut ai tha se “dëshmon sa e papjekur është kjo dhe sa e pandërtuar për të qenë ministre e Drejtësisë”.

“Kjo deklaratë dëshmon që kjo nuk ka logjikë të drejtësisë e të rendit dhe nuk i kupton implikimet e asaj që ka thënë, dëmin që ua bën institucioneve të brendshme. Ka dështu në provim rendi ynë ligjor dhe korrektues. Ka dështu sepse ka ikur një i mbajtur në burgim ose disa, por të thuash që po na i merr Serbia të burgosurit nga burgjet tona, i bie që ministrja atëherë është palë e serbëve, i bie që kjo është duke ia dhënë Serbisë, përmes saj janë duke i marrë, sepse kjo është ministre. S’ka logjikë tjetër këtu. Duhet me i thënë kësaj, zojë pse po ia jep ti, se ti je përgjegjëse. Ose pse s’po jep dorëheqje?”, tha ai.