AGK: Vazhdojnë targetimi dhe sulmet e Vetëvendosjes kundër mediave
Zyrtarja e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, ka vazhduar këtë mëngjes sulmet e partisë qeverisëse kundër gazetarëve, medieve dhe AGK-së.
Mihali ka kërkuar hetime ndaj mediave të Kosovës për pretendimet e gazetës boshnjake, që sipas saj “është një gazetë investigative dhe nuk është një gazetë regjimesh”.
Mihali gjithashtu i ka bërë thirrje AGK-së të kërkojë hetime, duke shkruar se “Asociacioni i Gazetarëve do të ishte më mirë të tregonte profesionalizëm dhe të sugjeronte hetime për rastin që kolegët gazetarë boshnjakë kanë publikuar. Pra, nëse vërtet Vuçiqi dhe rrjeti i tij kriminal ka dorë brenda në Kosovë”.
Për AGK-në qëndrimi i fundit i Mihalit vjen në serinë e sulmeve të koordinuara të pushtetit të Vetëvendosjes kundër mediave dhe gazetarëve në Kosovë. Thirrja për hetime ndaj një shkrimi pa autor, që nuk ofron asnjë fakt e dëshmi për pretendimet e veta, është e papranueshme dhe ka për qëllim intimidimin e gazetarëve në Kosovë.