Burgim me kusht për drejtorin e shkollës në Suharekë, që përjashtoi arsimtaren me shami

Liman Bytyçi, ish-drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët “Flamuri i Arbërit” në Reshtan të Suharekës, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren lidhur me akuzën që ka rënduar ndaj tij për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, raporton gazeta Sinjali.

Rasti lidhet me mësuesen me shami, e cila akuzohej se ia ndaloi hyrjen në shkollë, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij.

Sinjali ka siguruar vendimin ku thuhet se gjykata e ka dënuar me burgim me kusht, duke ia vërtetuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një viti dhe “njëkohësisht urdhëron që ky dënim të mos ekzekutohet nëse në kohën e verifikimit prej dy vjetësh nuk kryen vepër tjetër penale”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri në gusht të vitit 2022 kishte vendosur që mësueses së lëndës së matematikës, Remize Lezi, t’ia ndalojë ushtrimin e detyrës dhe t’ia mohojë nënshkrimin në listën e arsimtarëve të pranishëm.

Megjithëse, për shumë vite përcolli breza të nxënësve, mësueses iu pamundësua hyrja në shkollë kur vendosi të bartte shaminë.

Përballë kësaj akuze ish-drejtori ishte deklaruar i pafajshëm.