Haradinaj: Nuk pres dorëheqjen e Haxhiut për rastin e Faton Hajrizit, por së paku një kërkim falje

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Ramush Haradinaj tha se është gabim që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të merret me rastin e Faton Hajrizit.

Haradinaj deklaroi se dorëheqja e Haxhiut nuk është ajo që e pret, por së paku një kërkim-falje do të mjaftonte tek populli për qasjen e saj ndaj rastit të Hajrizit.

“Sa i përket deklarimeve të Haxhiut është gabim me marrjen e rastit të Faton Hajrizit.  Kjo i bie që ata që janë me UÇK-në dhe të lidhur me të, nuk shkon përmbajtja. Materia nuk është ashtu. Serbia ka ndikim që Faton Hajrizi të dalë në Serbi. Ka materie të gabuar. Është dashtë me u mbrojtë Kosova, mos me u fajësu për veprën e Faton Hajrizit. Haxhiu ka mundur të thotë se ne kemi dështuar të kryejmë detyrat tona në territorin tonë. Shihet se çfarë sjellje ka Serbia”, deklaroi Haradinaj.

“Çështja e dorëheqjes nuk është kriter për Qeverinë Kurti, pasi që nuk ka ndodhur asnjëherë. Por duhet të ketë një pranim faji dhe një gjest i logjikshëm, një kërkim falje. Serbia do ta përdorë këtë rast. Serbia ka mbetur e pandëshkuar pas sulmit të Banjskës”, vijoi ai.

Haradinaj theksoi se pas rastit të Banjskës, Kosova është ajo që po i mbartë pasojat me sanksionimet që po i bëhen vazhdimisht.

“Kosova është e sanksionua, i mungojnë 900 milionë të dedikuara nga Buxheti i BE-së për 6-shen e Ballkanit. Serbia ka filluar të i thith ato. Ne po vazhdojmë me mbet në pozicionin e atyre që ka diskurs të tensioneve, incidenteve dhe të shqetësimeve të sigurisë. Është një sulm direkt në investimet e huaja direkte e që u paraqit edhe në raportin e DASH-it. Një dialog i varfër publiko-privat i ka penguar investimet e huaja direkte”, shtoi Haradinaj.