Kthimi i trupit të Faton Hajrizit në Kosovë, avokati Damati: Serbia duhet të respektojë procedurat ligjore, kemi të bëjmë me të drejtën humanitare

Tri ditë pasi autoritetet serbe njoftuan se i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi është vrarë në afërsi të Loznicës, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga  Serbia se kur do të kthehet trupi i viktimës.

Hajrizi i cili ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik, u shpall në kërkim edhe nga ana e policëve në Serbi, pasi dyshohej se ka vrarë një polic serb më 18 korrik në Loznicë.

Një ditë pas raportimeve për vrasjen e policit serb në Loznicë, mediat serbe bënë të ditur se forcat serbe kanë lokalizuar 39-vjeçarin, dhe se i njëjti është vrarë pasi nuk ka pranuar të dorëzohet.

Me gjithë raportimet që u bënë për të, autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë detaje se kur do të kthehet trupi i tij në Kosovë.

Avokati Musa Damati në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se në rastin e Faton Hajrizit duhet të ndiqen procedurat ligjore dhe se trupi i viktimës të kthehet te familjarët.

“Rasti i rëndë i cili ndodhi ditë më parë në Serbi pa dyshim që e ka shokuar edhe opinionin publik në Republikën e Kosovës. Mirëpo, në aspektin procedural, ligjor, pavarësisht asaj që sa mund të jetë një rast i rëndë, apo mund të ketë elemente të veprimtarisë kriminale, gjithsesi në shtetet demokratike duhet të respektohet ligji, procedurat ligjore, penale, në rastin konkret kemi të bëjmë me të drejtën humanitare”, u shpreh ai.

Gjithashtu, në këtë rast Damati thotë se është e rëndësishme që familja të angazhon edhe një avokat, në mënyrë që t’i përfaqësojë familjen tek autoritetet atje.

“Aplikimi i të drejtës humanitare dhe organet në Serbi do të ndjekin procedurat ligjore për kthimin e trupit në duart e familjareve. Mirëpo, unë mendoj se edhe familja duhet të angazhojë një avokat për t’i përfaqësuar të njëjtit para organeve në Serbi, në mënyrë që të mos mungojë vullneti dhe iniciativa edhe proceduralisht nga familja, për të kërkuar dhe për të marrë trupin. Dhe pastaj të organizon ceremoninë që kanë të bëjnë më funeralin.  Pra, është e drejtë ligjore, e rregulluar në çdo shtet demokratik, dhe kjo mendoj që është  rregulluar edhe në shtetin serb”, ka potencuar ai.

Se kur do të mund të marrin familja trupin e viktimës, Damati pohoi se e gjithë kjo varet nga legjislacioni që kanë vendet.

“Sa i përket kohëzgjatjes varet nga legjislacioni i secilit vend, procedurat e secilit vend, mirëpo, unë mendoj që ato do të ndiqen dhe natyrisht familjarët kanë të dejtë të pamohueshme që të marrin trupin e familjarit të tyre”.

“Në rastrin konkret, mendoj që të shërbejë si praktik edhe rasti që është në Kosovë, me trupat e atyre që mbetën të vrarë, në rastin e njohur si Banjskë. Ku pas disa ditëve, familjarët përmes avokatëve të caktuar kanë bërë tërheqjen e trupave”, ka thënë mes tjerash ai.

Damati foli edhe për mungesën e bashkëpunimit juridik mes dy vendeve.

“Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtare midis Kosoves dhe Serbisë është dëm i madhe për të dyja vendet, për arsye se po të ekzistonte bashkëpunimi juridik ndërkombëtare midis dy vendeve ndoshta do të parandalohej hyrja e të dyshuarve – të kërkuarve nga Kosova për në Serbi dhe anasjelltas, andaj është edhe me interes vital juridik për të dyja vendet konstituimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë”, ka potencuar ai.

Ndryshe, vrasja e Faton Hajrizit u komentua mjaft shumë edhe në Kosovë, ku shumë prej tyre nxitën edhe dyshime nëse ai është vrarë, për shkak të fotografive që qarkulluan në mediat serbe. /telegrafi