Serbia s’i përgjigjet Kosovës për Faton Hajrizin, MPJ-ja flet me familjen dhe ankohet te vendet e QUINT-it
Kosova po pret përgjigje për konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi dhe lehtësimin e procedurave për kthimin e trupit të pajetë, pasi autoritetet serbe thanë të premtën se është vrarë Faton Hajrizi.
Hajrizi më 6 korrik u arratis nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dhe vendondodhja e tij mbeti e panjohur deri kur emri i tij u përmend të enjtën, si autor i vrasjes së një polici në qytetin perëndimor të Lloznicës në Serbi.
Ministria e Punëve të Jashtme tha për T7 se ende s’ka pranuar përgjigje nga autoritetet serbe, ndërsa njoftoi se për këtë është ankuar te ambasadorët e vendeve të QUINT-it përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi.
“Ashtu siç ju kemi njoftuar dhe me parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Nëpërmjet të njëjtës kërkesë zyrtare është kërkuar edhe lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët. Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.
“Zyra Ndërlidhës e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje”, thuhet tutje në përgjigje.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se “ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”.