Kurti: Ndikimi i vendimit të GJND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh

Ndikimi i Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte dhe vazhdon të jetë i madh. Ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë. Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e përvjetorit të 14-të të vendimit të GJND-së mbi Pavarësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të tij në Facebook, Kurti u shpreh se GJND-ja e arsyetoi gjerësisht se si Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk shkelte asnjë normë të përgjithshme apo speciale të së drejtës ndërkombëtare dhe se shkëputja e Kosovës nga shteti pararendës përbënte tashmë një fakt të parevokueshëm.

“Ky Mendim Këshilldhënës gjithashtu e ndryshoi të paktën formalisht rrjedhën e dëmshme për popullin shqiptar, meqenëse okupimi i Kosovës më 1912, mandej kolonizimi, diskriminimi e deri te gjenocidi në vitet 1998 e 1999, janë krime për të cilat asnjëherë nuk pati drejtësi ndërkombëtare e zhdëmtim për popullin e Kosovës. Është për të ardhur keq që në dekadën e kaluar ky mendim i GJND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës, e nuk u përdor mjaftueshëm për ta përmbysur e eliminuar strategjinë e Serbisë për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Kosovës përmes kornizës së dikurshme të dialogut të Brukselit”, shkruan Kurti.

Tutje Kurti shtoi se ndikimi i mendimit këshilldhënës të GJND-së ishte dhe vazhdon të jetë i madh, ku ajo përbën një fakt konstitutiv, të pakontestuar, të argumentit se qenia dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës ka qenë dhe do jetë e drejtë.

“Mendimi Këshilldhënës i GJND-së përbën një rast të rrallë ku Gjykata mbështet pa asnjë dyshim e me një interpretim thellësisht të bindshëm lindjen e të drejtës së një populli të shtypur e të kolonizuar për dekada me radhë nga një pushtet shovinist, kriminal e gjenocid-bërës, për të qenë dhe ekzistuar si shtet i pavarur e i ligjshëm në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij tendencat e Serbisë për të minimizuar peshën e Mendimit Këshilldhënës të GJND-së, përfshirë moszbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së në marrëdhëniet e saj me Kosovën që janë pjesë thelbësore e Marrëveshjes Bazike, do të mbeten vepra të një shteti që tenton në keqbesim rehabilitimin e dështuar të saj në bashkësinë e kombeve të civilizuara pasi që ushtroi gjenocid në territorin e tre shteteve të sotshme dhe vazhdon në mënyrë institucionale ta mohojë atë.