Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore, MASHTI pa vendim zyrtar

Ministria e Arsimit ende nuk ka vendim zyrtar për mënyrën e furnizimit të nxënëseve me tekste shkollore për vitin e ri shkollor 2024/25. Ndërkaq, njohës të arsimit po vlerësojnë se subvencionimi i prindërve, siç u bë vitin e kaluar, nuk është treguar i suksesshëm dhe është e rëndësishme që furnizimin i nxënëseve me tekste shkollore të bëhet me kohë.

Edhe përkundër që ka mbetur më pak se një muaj e gjysmë nga fillimi i vitit të ri shkollor, prindërit dhe drejtues të shkollave ende nuk kanë informacione se si do të bëhet furnizimi i nxënësve me tekste shkollore.

Në lidhje më këtë çështje, nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kanë bërë të ditur se ende nuk ka vendim në lidhje me këtë çështje.

E njohës të fushës së arsimit po vlerësojnë se përvoja nga viti i kaluar për subvencionimin e prindërve nuk u tregua efikase.

Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës së furnizimi i nxënëseve me tekste shkollore duhet të bëhet nga shtëpitë botuese. Ndërkaq, për sa i përket subvencionimit për mjete shkollore, ai tha së është mire të vazhdohet vetëm për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.

“Mendoj që është mirë të shfrytëzohet rrjeti që e kanë shtëpitë botuese dhe të vazhdohet më shpërndarjen e teksteve nga ana e shtëpive botuese. Ato e kanë rrjetin, e kanë kapacitetin dhe ato kapacitete janë ndërtuar me dhjetëra vite. Nuk është mirë tash kapacitetet e shtëpive botuese të rrinë të pashfrytëzuara dhe të kalojmë në një mënyrë të shpërndarjes se teksteve që vitin e kaluar nuk doli efikase”, tha Rexhaj.

Rinor Qehaja nga instituti “EdGruard” i tha Radio Kosovës se cilindo variant që zgjedh MASHTI, është i rëndësishëm që furnizimin të bëhet me kohë dhe se Ministria nuk duhet të përsërisë gabimet e viteve të kaluara.

“Pa marrë parasysh modalitetit të shpërndarjes, tekstet shkollore duhet të jenë të qasshme për nxënësit para të hënës, më 2 shtator. Ka vite në të cilat ministria do të duhej të merrte mësime të mira, do duhej të mësonte nga ato gabime e të mos përsëriten nga viti në vit dhe në dëm të drejtpërdrejtë te nxënësit”, tha Qehaja.

Kundër vendimit për subvencionimin e prindërve për tekstet shkollore vazhdon të jetë edhe Sindikata e Arsimit. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se nxënësit kanë pasur mungesë të teksteve shkollore gjatë dy muajve të parë të vitit të kaluar shkollor.

“Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore vitin e kaluar ka qenë një përvojë e keqe e të cilën e ka kundërshtuar arsyeshëm Sindikata e Arsimit, prindërit dhe të tjerët. Mungesa e teksteve është vërejtur gjatë gjithë shtatorit dhe muajit tetor”, deklaroi Jasharaj.

Shuma e shpenzuar e buxhetit për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore gjatë vitit shkollor 22/23 ishte mbi 11 milionë euro.