Kush përkujdeset për shtatoret dhe memorialët në Prishtinë?

Disa nga shtatoret dhe memorialët që gjenden në Prishtinë janë të rrethuara me mbeturina, të ndryshkura e shpeshherë të shkarravitura.

Për gjendjen e tyre, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM) dhe Komuna e Prishtinës kanë arsyetime të ndryshme.

AMMKM-ja tha se përgjegjësinë për mirëmbajtjen e tyre e kanë kompanitë e kontraktura, ndërkaq Komuna e Prishtinës ende nuk ka lidhur ndonjë kontratë për mirëmbajtjen e tyre.

Por, cilat monumente në kryeqendrën e Kosovës, Prishtinë, nuk janë në gjendje të mirë?

Një nga to është Heroinat, memoriali që është ndërtuar për të nderuar gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë – që vlerësohet se janë 20.000. Në bazamentin e monumentit ka lule të thara, ndërsa mbrapa tij grafite që njollosin deklaratën e Shën Terezës.

Heroinat gjendet në një park në qendër të Prishtinës, në një nga zonat më qendrore dhe të frekuentuara të Prishtinës, përballë obeliskut Newborn.

Ky monument u zbulua më 12 qershor 2015, në ditën e çlirimit të Kosovës.

Monumenti paraqet një fytyrë, për të përfaqësuar gratë kosovare.

Disa metra më tutje, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në të cilin edhe është vendosur përmendorja e Pajazitit – komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - bazamenti i përmendores është i rrethuar nga mbeturinat, e vetë përmendorja është e papastruar.

Në gjendje të mirë nuk është as memoriali në sheshin kryesor të Prishtinës, dedikuar ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që kanë vdekur në Kosovë që nga ndërhyrja e aleancës ushtarake perëndimore në këtë shtet.

Ky memorial përveç që nuk është pastruar, në pjesën e pasme të tij është shkruar me ngjyrë të kuqe.

Një tjetër shesh në Prishtinë mban emrin e humanistes, Gonxhe Bojaxhiut- Shën Terezës, gjendet edhe një statujë, ku figura e saj është gdhendur në bronz.

Kjo statujë është e rrethuar me një fontanë, e cila nuk funksionon dhe në hapësirën përreth ka mbeturina.

Ndërkaq, në hyrje të oborrit të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, është vendosur memoriali dedikuar personave të zhdukur me forcë.

Memoriali është i pastruar, mirëpo jo edhe pllaka në afërsi të tij, që tregon se çfarë simbolizon ky memorial.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende më shumë se 1.600 persona.

Mungesa e mirëmbajtjes vërehet edhe te shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, që është e vendosur në sheshin në Prishtinë, që mban emrin e tij.

Në bazamentin e kësaj shtatoreje shihen mbeturina, ndërkaq vetë shtatorja është e papastruar. Pastrimi i fundit i kësaj shtatoreje është bërë më 4 korrik, kur edhe ishte përvjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çfarë thonë institucionet?

Përgjegjëse për mirëmbajtjen e shumicës së këtyre memorialeve është Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale (AMMKM).

Në listën e kësaj agjencie janë: 87 memoriale, 104 objekte të trashëgimisë të luftës së UÇK-së, 204 vende të rënies së dëshmorëve, 552 lapidare, 96 buste, 17 komplekse memoriale, 71 shtatore, 35 varreza të dëshmorëve, 17 varreza të dëshmorëve dhe martirëve dhe 161 pllaka përkujtimore.

Shqiponje Hadergjonaj-Dibrani nga AMMKM-ja, i tha Radios Evropa e Lirë se “pastrimi i shtatoreve dhe busteve bëhet sa herë të ketë nevojë”.

“AMMKM-ja mirëmban komplekset dhe memorialet përmes kontratave të mirëmbajtjes që zhvillohen me procedura të rregullta të prokurimit, ku mirëmbajtjen e bëjnë kompanitë përkatëse. Kompanitë janë të obliguara që ta bëjnë mirëmbajtjen e komplekseve dhe memorialëve 24 orë, 7 ditë në javë”, tha ajo.

Nga Komuna e Prishtinës thanë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk kanë angazhuar një kompani për pastrimin e nëntë shtatoreve që janë nën menaxhimin e tyre.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arbëresha Fazliu, i tha Radios Evropa e Lirë se janë në pritje të lidhjes së kontratës pastaj edhe do të bëjnë orarin për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve.

Kujdesi për skulpturat, në duart e skulptorëve

Skulptori Gëzim Muriqi, i cili ka të ekspozuara rreth 20 skulptura në të gjithë territorin e Kosovës, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mirëmbahen, sepse mirëmbajta “ka peshë sa vetë skulptura”.

“Ne e kemi një agjenci [AMMKM] dhe në kuadër të tij duhet të ekzistojë një ekip që duhet të merret me këtë punë. Zakonisht nuk ka, deri tash kryesisht skulptorët, sikur në rastin tim që jam përkujdesur që me shpenzime të miat, në koston personale t’i mirëmbaj skulpturat e mia”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Muriqi tha se në baza ditore duhet pastruar skulpturat.

“Hapësira përcjellëse, nëse dëmtohet, duhet intervenuar menjëherë, e kam fjalën për bazamentin, është e turpshme nëse nuk intervenohet”, tha ai.

Sipas tij, ka disa raste kur nuk bëhet ndërhyrje në këto punime për t’i ruajtur nga oksidimi, i cili mund të ndodhë kryesisht në punimet me bronz.

“Materialet të cilat punohen zakonisht oksidohen pas një kohe të caktuar dhe pastrimi i tyre mund të bëhet pas çdo 10 vjetësh. Mirëpo ka shtete të cilat, me kërkesë të artistëve ose instancave të caktuara shtetërore, i lënë qëllimisht të oksiduara, si vlerë. Skulptura e fiton një ngjyrë të gjelbër dhe qëllimisht e lënë për të treguar lashtësinë”, shpjegoi ai.

Që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë ngritur shtatore e buste të ndryshme.

Shpeshherë, ato nxitën diskutime se a i ngjajnë apo jo personit për nder të të cilit u ngritën.

Numri i saktë i këtyre punimeve nuk dihet, por ato konsiderohet se janë në mijëra. Për shumë nuk janë të qarta as kriteret e vendosjes së tyre, e disa janë larguar pas kritikave. /REL