Invalidëve u imponohet zgjedhja mes dy pensioneve

Ligji ua lejon dy, por ata po marrin vetëm një. Veteranët, invalidët e UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve po detyrohen nga Ministria e Financave që të zgjedhin mes pensionit bazik apo atij për kategoritë e dala nga lufta.

Për këtë, pjesëtarë të këtyre organizatave tashmë i janë drejtuar instancave gjyqësore pasi vlerësojnë se u është mohuar një e drejtë që u takon me ligj.

Avokati i tyre, Zahir Hamza tregon se për këtë tashmë janë dhënë edhe vendimet gjyqësore të shkallës së parë, por që nuk po implementohen nga Ministria.

“Janë në mëdyshje se cilin pension ta marrin në fakt i fitojnë të dy pensionet, nuk ka të drejtë Ministria e Financave t’i kufizojë se për cilin pension do të orientohet pensionisti. Kemi vendime të fituara me anë të Gjykatës besoj se Ministria do të reflektojë dhe të mos i maltretojë kategoritë e këtilla që t’iu njihet e drejta e kategorisë së pensionit të veteranit apo edhe invalidit të mos kufizohen”, tha Hamza.

Derisa thotë se ky dikaster po bën edhe diskriminim në mes të këtyre kategorive.

“Kemi kandidatë apo persona të cilët i marrin dy pensionet të pleqërisë dhe kategorisë është diskriminim total nga ana e Ministrisë se pse dikush po dikush jo përderisa kemi të drejta të barabarta, është është një diskriminim total nga ana e Ministrisë po besoj që për të mos krijuar shpenzime kot, të tepërta nëpër Gjykata, është e mirë që MF të reflektojë dhe t’i kompensojë”, tha ai.

Se kjo qëndron e thotë edhe Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.

Sipas tij, një padrejtësi e tillë po ua vështirëson edhe jetën pjesëtarëve të kësaj shtrese.

“Ka mospajtime të mëdha, shqetësime të mëdha se pse po u bëhen këto padrejtësi, ka ankesa tek ne si përfaqësues të Shoqatave që të ndërmarrim hapa. Ne nuk kemi lënë rrugë pa ndjekë edhe pa kërkuar që me u zbatu ky ligj dhe me gëzu këtë të drejtë por fatkeqësisht as Qeveritë e kalume as në këtë Qeveri nuk kemi gjetë një gjuhë të përbashkët dhe një zgjidhje të këtij problemi”, tha Qeriqi.

Tëvë1 ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave se pse po bëhet kjo por që gjatë javës nuk ka pasur përgjigje.