Gërvalla: Trupi i Faton Hajrizit të kthehet sa më shpejt në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se trupi i Faton Hajrizit, të vrarë nga policia serbe duhet të kthehet sa më shpejt në Kosovë.
Gërvalla tha se të gjitha temat për rastin e Faton Hajrizit i kanë adresuar edhe tek partnerët ndërkombëtarë.
“Kemi adresuar të gjitha temat edhe tek partnerët ndërkombëtarë, sepse së paku trupi i qytetarit tonë do të duhej të kthehej sa më shpejt në Kosovë, do të duhej t’i kthehej familjes”, tha shefja e diplomacisë kosovare.
“Zyra Ndërlidhëse i ka kontaktuar institucionet në Serbi dhe sapo kemi një konfirmim të saktë të informacioneve, ne do ta ndajmë me publikun”, tha Gërvalla.
Ajo më tej tha se Kosova e ka të vështirë, pasi fqinji verior [Serbia] rrallë sillet sipas standardeve të njohura ndërkombëtare.
Sipas autoriteteve serbe Faton Hajrizi është vrarë të premten policia serbe, pasi dyshohet se mesnatën e të mërkurës vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në Lloznicë.
Ai ishte arratisur javë më parë nga Burgu i Smrekonicës, ku për autoritetet kosovare ishte i pakapshëm.